Neglizhencat politike dhe interesat biznesore pamundësuan kyçjen e Kosovës në TAP
Njohësit e çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu dhe Blerim Grainca, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se rëndësia ekonomike, integruese, sociale dhe strategjike e kyçjes së Kosovës në gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) nuk është marrë seriozisht nga institucionet e Kosovës.
Ata kanë theksuar se në këtë proces ka dominuar agjenda politike dhe ndikimet biznesore të importuesve të gazit në Kosovë.
Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) është konsideruar investimi më i madh në historinë e shtetit shqiptar jo vetëm nga shuma monetare, por edhe nga rëndësia strategjike dhe integruese.
Mirëpo këtë fat nuk e pati edhe Kosova, ani pse ligjvënësit e legjislaturës së kaluar premtuan gjetje të mënyrës për t’u kyçur në këtë rrjet edhe Kosova.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës.
Në korrik të vitit 2015, kur u hap zyrtarisht fillimi i punimeve për ndërtimin e projektit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati dhënë dritën jeshile se në këtë projekt mund të kyçet edhe Kosova.
Sipas tij, ndërtimi i një segmenti të TAP-it deri në Kosovë do të përbëjë “de facto” autostradën e dytë energjetike mes dy vendeve tona.
“Ne jemi të angazhuar ta kthejmë TAP-in në një burim zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Ndërtimi i një segmenti të TAP-it deri në Kosovë do të përbëjë ‘de facto’ autostradën e dytë energjetike mes dy vendeve tona, pas përfundimit të linjës së tensionit të lartë, që po ecën me shumë shpejtësi, me cilësi të lartë dhe pa diskutim që do të jetë gati vitin e ardhshëm”, pati thënë kryeministri Rama. Lidhur me këtë çështje ka folur kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se sikurse vendimmarrësit në Kosovë ta dinin rëndësinë e kyçjes në TAP do të bënin më shumë në këtë drejtim. Sipas Gërxhaliut, më mirë është të investohet në kyçjen e Kosovës në këtë rrjet sesa të shtrohen kilometra asfalt. Ai ka theksuar se përfitimet nga TAP-i do të jenë ekonomike, sociale dhe integruese. “Është shqetësuese që për një projekt të rëndësisë nuk flitet fare në Kosovë. Si duket problemet politike dhe tentativa e dominimit të partive politike është mbi interesat e shtetit. Shtrohet pyetja se çfarë mund të jetë substancë e zhvillimit dhe e qëndrueshmërisë ekonomike të Kosovës në të ardhmen përveç kyçja në TAP”, ka deklaruar Gërxhaliu, duke shtuar se kyçja në TAP është një mekanizëm i forcimit të partneritetit me fuqitë më të mëdha në botë. Ai ka theksuar se Kosova nuk e meriton të jetë e izoluar. “Shikoni se çfarë ndodh në Bullgari, Rumani, Shqipëri, Itali dhe Mal të Zi. Pse vetëm Kosova të mbetet gjithmonë e getoizuar. Kjo nuk është e drejtë. Prandaj po ta dinim rëndësinë e TAP-it vendimmarrësit në Kosovë do të shqetësoheshin më shumë dhe do ta vënin si prioritet të shtetit. Sot gazi është një përdorues strategjik nga i cili nuk varet vetëm Ballkani, por edhe Evropa. Dua të besoj se në të ardhmen e afërt dikush do ta kuptojë këtë rëndësi dhe prioritet. Do të duhej të bëhej një lobim përmes miqve ndërkombëtarë që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij procesi”, është shprehur Gërxhaliu.
Blerim Grainca, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili në mandatin e kaluar ka qenë anë tar i komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se kyçja e Kosovës në TAP do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe social. Grainca, i cili ishte propozues dhe iniciues i nismës për t’u integruar në këtë rrjet, ka pohuar se e gjithë kjo situatë po ndodh për faktin se nuk po e dinë rëndësinë e këtij projekti individët që ishin vendimmarrës. “Kam qenë propozues dhe kam ngulur këmbë për rëndësinë e kyçjes së Kosovës në TAP. Duhet të bëhet studimi i fizibilitetit pasi ky projekt kalon në Shqipëri dhe mund të mendohej një kyçje nga Shqipëria. Kjo kyçje siguron furnizimin me gaz për amvisëri dhe për prodhim”, ka thënë Grainca, duke shtuar se nuk është vonë të gjendet mënyra për kyçje në TAP, qoftë edhe përmes partneritetit publiko-privat. Ai ka bërë me dije se kjo iniciativë e tij nuk u përkrah as nga Kuvendi e as nga Qeveria. “Këtë çështje e kam ngritur në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, por edhe në diskutime me Qeverinë. Fatkeqësisht, kjo iniciativë nuk u përkrah në atë kohë për shumë arsye. Shumë njerëz që ishin të përfshirë në vendimmarrje nuk e kuptonin këtë proces ose ishin të ndikuar nga interesat biznesore të importit të gazit. Por, edhe tash nuk është vonë që Kosova të kyçet në TAP”, ka thënë Grainca.
MZhE-ja: Planifikohet që studimi i fizibilitetit të kryhet në vitin 2018
Departamenti i Energjisë në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në përgjigjen e dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka theksuar se është duke u planifikuar që studimi i fizibilitetit të kryhet në vitin 2018. “Me qëllim të hapjes së perspektivës së zhvillimit të gazit natyror në Kosovë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ishMinistrinë e Energjisë dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, tani Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në vitin 2016 kanë aplikuar me projekt të përbashkët në kuadër të raundit të 15 në WBIF për realizimin e studimit të fizibilitetit të gazsjellësit Shqipëri – Kosovë, përmes gazsjellësit – IAP. Me të njëjtin projekt Kosova me Shqipërinë kanë aplikuar edhe në Komunitetin e Energjisë për përfshirjen e këtij projekti në kuadër të projekteve me interes për komunitetin e energjisë (PECI – listës 2016). Si promotor i aplikimit të përbashkët për këtë projekt ka qenë dhe është pala nga Shqipëria, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në tetor 2016 projekti i përbashkët i iniciuar me Shqipërinë është miratuar nga Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë dhe ka hyrë në kuadër të projekteve me interes në Komunitetin e Energjisë (PECI-list 2016). Paralel me këtë proces dhe me qëllim të realizimit të këtij projekti përmes palës nga Shqipëria në kuadër të Raundit të 15 në WBIF është aplikuar për realizimin e studimit të fizibilitetit të gazsjellësit Shqipëri – Kosovë”, është thënë në përgjigjen elektronike të Departamentit të Energjisë. Më tej, në këtë përgjigje thuhet se përmes platformës WBIF është aprovuar një grant në vlerën prej 300 mijë eurosh për realizimin e studimit të përbashkët të parafizibilitetit për gazsjellësin Shqipëri – Kosovë (ALKOGAP). “Studimi në fjalë do t’i japë rekomandimet përkatëse në mënyrë që pastaj konform tyre të procedohet tutje me studime pasuese. Procesi gjendet në fazën e finalizimit të TeR nga konsulenca IFICO, për të vazhduar me procedurat e mëtejme të realizimit të studimit. Planifikohet që ky studim i parafizibilitetit të përfundojë në vitin 2018”, është bërë me dije në përgjigjen e Departamentit të Energjisë që vepron në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Albulena S. MAVRAJ