Negociatat ndërmjet të dërguarit amerikan dhe talibanëve vazhdojnë të shtunën
Talibanët dhe zyrtarët amerikanë, që kanë zhvilluar bisedime në Katar, për të diskutuar mënyra se si t’i japin fund luftës në Afganistan, kanë realizuar edhe bisedime të “zgjeruara” rreth skenarëve se si mund të tërhiqen trupat e huaja nga ky shtet, duke garantuar se territori afgan nuk do të shfrytëzohet nga forcat e huaja për të sulmuar shtete tjera, kanë thënë talibanët përmes një deklarate të enjten.
I dërguari amerikan për bisedime të paqes, Zalmay Khalilzad, ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se takimet në Doha kanë qenë produktive.
“Ne vazhdojmë që gradualisht, të diskutojmë rreth procesit të paqes”, ka thënë Khalilzad duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë të shtunën.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, ka thënë se pas takimit të së mërkurës, të dyja palët janë pajtuar për të pushuar bisedimet, ashtu që të përgatiten për takimin e radhës.
Dy delegacionet kanë rinisur bisedimet këtë javë, pasi kanë bërë përparim të dukshëm në një proces të negociatave, të mbajtura po ashtu në Doha, në muajin janar.