Nehat Islami, doajen i gazetarisë shqiptare
Tefik Selimi
Nuk ka gazetar në Kosovë e vende të tjera që nuk e njohin apo që nuk kanë dëgjuar për Nehat Islamin, doajenin e gazetarisë shqiptare. Edhe ata gazetarë që kanë filluar të punojnë më vonë në profesionin e gazetarisë do të duhej ta njihnin dhe të mësojnë nga ky emër i madh i gazetarisë. Pse jo? Nehat Islami është i tëri njeri dhe doajen i gazetarisë. Ai nuk ka kursyer kohën e punën për të raportuar ngjarje nga ku e pati destinacionin e informimit. Ky njeri është shembull i rrallë i gazetarisë, i cili, nga ky profesion i jetës, kurrë nuk hoqi dorë. Përherë shkroi raporte, shënime, skica, reportazhe, por edhe udhëpërshkrime më të ndryshme nga vendet e largëta të Lindjes së Mesme. Jo vetëm kaq.
Nehat Islami (1943) është i lindur në Ferizaj të Kosovës. Këtu e pati vendlindjen, por jeta e “barti” nëpër shumë furtuna e zjarre të largëta të luftës. Gjimnazin e kreu në Prishtinë (1961), kurse Fakultetin Juridik në Universitetin e Zagrebit (1966). Punën si gazetar e filloi në vitin 1966, sepse qe bursist i gazetës “Rilindja”. Pas shkollimit, ai orientohet në gazetari. Gazetarinë e adhuroi tejmase. Edhe në këtë moshë 75-vjeçare, ai është i kthelltë dhe shumë aktiv. Ai punoi si korrespondent për gazetën “Rilindja”, ku ka raportuar për Lindjen e Mesme e për vendet e tjera të botës.
Pas një viti, Nehati kaloi në redaksinë Televizive të Kosovës, në të cilin vend punoi deri në vitin 1974. Në gazetën “Rilindja” është emëruar si korrespodent për në Lindjen e Mesme me seli në Bejrut, në të cilin vend qëndroi deri në vitin 1979.
Mandej, prej Bejrutit, ai kthehet në gazetën “Rilindja” në postin e redaktorit të politikës së jashtme. Po ashtu, në vitin 1999 ka qenë drejtor i Institutit për Monitorim të Luftës dhe Paqes (IWPR) për tre vjet, kurse që prej vitit 2005 është drejtor i Zyrës së Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës, ku edhe sot gjendet në krye të zyrës në fjalë.
Nehat Islami është njëri nga doajenët e shquar të gazetarisë. Ai bëri përvojë dhe, këtë përvojë pune dëshiron edhe sot ta përcjellë tek kolegët e rinj të gazetarisë.
Ai shton se, gazetarët duhen të raportojnë nga vendi i ngjarjes dhe jo t’i marrin informacionet nga interneti apo mjete tjera jo të sigurta të informimit. Mësojmë se, Nehat Islami, doajeni i gazetarisë sonë, punoi 12 vjet si reporter nga Lindja e Mesme gjatë viteve 1970. Pra, Nehat Islami, gjerë më tani ka shkruar mbi 200 reportazhe, filma dokumentarë televizivë, por është autor i mijërave shkrimeve gazetareske që flasin për Kosovën dhe botën.
Ka shkruar librin me titull “Hotel Bejruti”, në të cilin i ka të përmbledhur të gjitha reportazhet gjatë periudhës katërvjeçare në Libani, Siria, po ashtu ka reportazhe që flasin për luftën irako-iraniane. Në këtë libër ka edhe “sende” të marrëveshjeve historike që janë bërë në vitin 1977 midis Egjiptit dhe Izraelit, atëherë kur Sadati shkoi në Izrael dhe shtriu dorën e pajtimit.
Por, ajo që na intereson është fakti se, ai ka shkruar edhe për problemin palestinez, por dhe për prezencën e shqiptarëve në këtë pjesë të botës. Ka shkruar gjithashtu për veprimtarinë e Pashko Vasës, një shkrimtar dhe poet i njohur me poezinë “O moj Shqipëri e mjera Shqipëri”. Ka shkruar për historinë 150-vjeçare të dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës në Egjipt, i cili e krijoi shtetin modern të Egjiptit.
Edhe pas kësaj pune shumëvjeçare, Nehat Islami, gazetari ynë i shquar e me përvojë, edhe në këtë moshë 75-vjeçare, ndjehet fort mirë me shëndet. Ai e jeton jetën plot gaz. Është njeri i afërt dhe shumë korrekt. Fytyra e tij rri përherë e buzëqeshur, sepse, njerëzit që punojnë për të mirën e popullit dhe vendit, sikur krenohet dhe ka përse ta ndjejë vetën të tillë.
Ai sot i këshillon gazetarët e shumtë të gazetave e portaleve. Thotë se, duhet të respektohet kodi i gazetarisë. Sepse, gazetaria ka një “ligj”, i cili duhet të respektohet gjer në fund. Pa këtë ligj, nuk ka etikë gazetarie. Unë jam për respektim të kësaj etike të gazetarisë.
“Sot, sipas Nehat Islamit, gazetar shumëvjeçar, gazetaria e sotme ka ndryshuar shumë. Nuk ka më gazeta që gazetari raporton me pak informacione. Informacionet e bëjnë gazetarinë e qëndrueshme. Sa më shumë informacione, aq më i fortë është shkrimi, lajmi, apo informata. Tash jeta është bërë shumëdinamike, ku gazetat dhe portalet janë media shumë të shpejta dhe kërkojnë shpejtësi e përgjegjësi. Kjo duhet të respektohet. Nuk ka më mirë se të shkruash me argumente dhe fakte. Këto janë “sende” që qëndrojnë dhe japin kuptim jetës”, ka shtuar Nehat Islami, gazetar me përvojë, në një debat të organizuar ditë më parë në Gjilan.