Nehat Mustafa: Nuk do të jem pjesë e grupit të këshilltarëve të PDK-së në Ferizaj
Nehat Mustafa nuk do të jetë më pjesë e grupit të këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt.
Lajmin e ka bërë me dije përmes një njoftimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Duke mos dashur të identifikohem me keqqeverisjen komunale, sot njoftova kryesuesen e KK të Ferizajt që edhe de jure nuk do jem më pjesë e GK të PDK në KK të Ferizajt. Janë të shumta arsyet e marrjes së një vendimi të tillë, mbase për këto do flas ndonjë herë tjetër”, ka shkruar Nehat Mustafa.
Postimi i plotë i tij:
Nga sot veproj si Këshilltar i Pavarur në Kuvendin e Komunës së Ferizajt
Sot, në Seancën e Kuvendit Komunal të Ferizajt gjatë fjalës sime bëra publik vendim tim që tani e tutje nuk do të jem pjesë e Grupit të Këshilltarëve të PDK në Kuvendin e Komunës së Ferizajt.
De fakto, pjesë e këtij grupi nuk isha për më shumë se 8 muaj, duke shprehur kështu pakënaqësit e mija me menyrën e qeverisjes komunale. Kam pritur që do ketë reflektim nga strukturat e degës , por kjo nuk ndodhi.
Prandaj, duke mos dashur të identifikohem me keqqeverisjen komunale, sot njoftova kryesuesen e KK të Ferizajt që edhe de jure nuk do jem më pjesë e GK të PDK në KK të Ferizajt.
Janë të shumta arsyet e marrjes së një vendimi të tillë, mbase për këto do flas ndonjë herë tjetër. Ndërsa, në fjalën time të sotme (të cilën mund ta gjeni edhe në Tv Tema) si argument përmenda keqpërdorimet e vazhdueshme në punësime. Pra, ne si opozitë dikur kritikonim kepërdorimet e qeverisjes së Z. Sfarqa lidhur me punësimet e paligjëshme përmes Kontratave në Vepër. Dhe pa kaluar as një vit, janë qindra e qindra punësime po me Kontrata në Veper nga qeverisja e tanishme.
Ironike është bartja e fanelave nga zyrtarët komunal me moton që tregojnë se punësimi është një e drejtë…, dhe po këta harrojnë me vetëdije se punësimet pa konkurs në të njejtën kohë janë shkelje e së drejtës së atyre që duan të bëhen pjesë e konkurimit për punësim. Kjo është Hipokrizi të cilës duhet ti themi MJAFT!
E keqja më e madhe në tërë këtë proces është heshtja dhe përfshirja e shumë këshilltarëve komunal në këto procese.
Pra , shumë këshilltarë nga pozita heshtin për arsye se janë bërë pjesë e këtyre pazareve, qoftë me punësime të familjarëve me e pa konkurse, emërime në borde, shfrytëzim e uzurpim të hapësirave publike, favorizim biznesesh , apo edhe lejim ndërtimesh pa plotësuar kriteret.
Të dashur miq!
Ju falenderoj për përkrahjen e vazhdueshme që keni treguar ndaj qëndrimeve të drejta e në interes të qytetarëve që kam mbajtur gjatë këtyre 10 muajve në KK. Tani e tutje në Kuvendin e Komunës do veproj si i pavarur. Premtoj që do vazhdoj ti mbrojë interesat e qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Së shpejti do fillojmë me vizita në teren ku për së afêrmi do njihemi me problemet dhe hallet e qytetarëve.
Respekt,
Nehat Mustafa