Nehat Thaçi: Kosova ka burgjet më të mira në rajon
Burgjet në Kosovë po vlerësohen si më të mira në rajon. Kështu të paktë thotë për Ekonomia Online, Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
Ai shprehet i bindur se në krahasim me burgjet e vendeve të rajonit, Kosova qëndron më mirë me kushtet që ofron për të burgosurit.
“Gjendja dhe kushtet në burgjet e Kosovës konsideroj se janë mjaftë të mira, të dënuarit kanë ankesa të ndryshme, mirëpo ne marrim parasysh disa situata kur shohim gjendjen në rajon si është gjendja e burgjeve në rajon dhe si është e jona, e marrim parasysh sigurinë për të burgosurit tanë, kushtet higjienike, ushqimin që u ofrohet të burgosurve”, tha Thaçi.
Ai tha se janë marrë disa masa për të parandaluar dukuritë negative në burgjet e Kosovës, duke shtuar se ka pasur investime në skanerë dhe mjete tjera për të parandaluar kontrabandën në këto hapësira.
“Është realitet i hidhur kontrabanda në burgje, është fenomen botëror nuk ka të bëj vetëm me sistemin korrektues në Kosovë, është e vërtetë që ka kontrabandë që kryesisht kontrabanda fillon nga telefonat dhe disa gjëra tjera, në vazhdimësi bëjmë bastisje të befasishme nëpër dhoma e qelitë e të burgosurve, gjithashtu bëjmë bastisje të stafit tonë, të vizitorëve e të gjithëve”, tha ai.
Thaçi përmendi parandaluesin e valëve në burgun e Dubravës, investimi ky i fundit që shërben për të parandaluar valët në telefon.