Nekibe Kelmendi zë vend në debatin ndërmjet LV-së e LDK-së në Kuvend
Kuvendi i Kosovës është duke debatuar rreth mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Në këtë debat përpos akuzave dhe kundër akuzave ka zënë vend edhe emri i Nekibe Kelmendi.
Fillimisht, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pyetur LDK-në se pse nuk doli nga koalicioni me PDK-në në kohën kur Hashim Thaçi kishte shkarkuar Nekibe Kelmendin nga pozita e ministres së Drejtësisë.
Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se Kelmendi nuk është shkarkuar nga Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se në atë kohë është bërë riformatimi i qeverisë, ku edhe LDK-ja ishte pajtuar që të zëvendësohen disa ministra të saj, në mesin e tyre edhe Nekibe Kelmendi.
Sikurse, Konjufca edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka insistuar se Kelmendi është shkarkuar nga Thaçi. Madje, ai ka prezantuar edhe vendimin për shkarkimin e saj.
Edhe ndaj Bislimit ka reaguar Gashi. Ai ka thënë se Bislimi nuk është duke e kuptuar “Abc”-në e qeverisjes.
Gashi ka theksuar se kur të ndodh riformatimi i qeverisë dhe ndryshohet ministri, normalisht se në vendim shkruhet “shkarkim”.
Gashi ka thënë se është e jolegale që Vetëvendosje ta keqpërdorë arkivin e qeverisë për të bërë propagandë.
Nekibe Kelmendi ka ndërruar jetë në vitin 2011.