Nekrolog për dëshmorin Xhevat Haxhi Demaku

09 prill 2022 | 00:04

Xhevat Haxhi Demaku

7 prill 1999 – 7 prill 2022

 

Shkruan: Afrim Hysenaj

 

Përvjetorët e njerëzve gjithmonë na sjellin kujtime të paharrueshme. Kujtimet më të veçanta njerëzit i ruajnë në mendje dhe ua rrëfejnë të gjallëve për kohën e luftës. Unë kujtimet më të veçanta i kam për dëshmorët e Kosovës, disa prej të cilave i kam rrëfyer pikërisht në këtë gazetë të përditshme të Kosovës.

Me dëshmorin e kombit Xhevat Demaku, i cili dje pati 23-vjetorin e përjetësimit, jemi nga i njëjti fshat. Jemi rritur dhe formuar në një ambient të përbashkët. Në vitet ’90 okupimi klasik i Kosovës nga Serbia vështirësoi tej mase jetët tona, por na bëri më të fortë, më të dashur dhe më të zotë.

Xhevati që në rini dallonte prej shumë të tjerëve në qëndrim, guxim, virtyt. Kudo që e kërkonte shërbimi i atdheut, shkonte pa përtesë.

Xhevati hyn në radhët e intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare që kanë dhënë shumë për Kosovën në vitet ’90. Ai për Kosovën e dha edhe jetën.

Në vitet 1990-1997 kërkohej që intelektualët të mos përqendroheshin vetëm në një subjekt apo organizatë politike. Kërkohej që rruga e tyre për çlirim të bëhej edhe përmes organizimeve të ndryshme politike dhe ushtarake. Kjo familje kontributin për çështjen e Kosovës e nisi jo vetëm kur shpërtheu lufta e fundit. Në vitin 1986 organet e pushtetit serb Xhevatit ia kishin burgosur vëllanë e madh, Zeqirin. Mllefi dhe urrejtja ndaj armikut shekullor serb vetëm sa i shtoheshin Xhevatit dhe secilit të ri në fshatin tonë.

Në vitin 1993 me Xhevatin u bëmë anëtarë të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSh-së), e cila themelet i kishte vënë qysh në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, atëkohë nga figura kombëtare Ymer Berisha e të tjerë.

Përkrahës dhe mbështetës të mëdhenj i kishim edhe bashkëfshatarët tanë, veteranët e NDSh-së të fshatit tonë, bacë Hajriz Demakun dhe bacë Adem Demiqin, tanimë të ndjerë, të cilët edhe me armë në dorë kishin mbrojtur fshatin tonë nga forcat partizano-çetnike gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me ndihmën e bacës Hajriz, bacës Adem, e të shumë intelektualëve të komunës sonë, si: prof Nexhemedin Haxhiu, dr. Lec (Gradica) Uka, dr. Nagip Elshani, inxh. Behram Halilaj, Selim Shabani, Ismajl Bajraktari e shumë veprimtarë tjerë, arritëm që Degën e NDSh-së në vitin 1993 ta formojmë edhe në Abri të Epërme. Themelimin e Degës e bëri të veçantë pjesëmarrja e kryetarit të NDSh-së në nivel të Kosovës, atëkohë të Rexhep Avdullahut me staf.

Xhevat Demaku u zgjodh në kryesinë e ngushtë të Degës së NDSh-së. Iu besua detyra e sekretarit të Degës.

Veprimtaria jonë ishte në shërbim të proceseve që po kalonte Kosova deri në daljen në skenë të UÇK-së. Më pastaj rruga jonë na bashkoi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vëllezërit e tij, Jahiri, Fadili dhe Nexhati, përbënin celulat e para të ilegales së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshat.

Në fillim të marsit 1998 oda e babait të Xhevatit, Haxhiut, u bë pikë orientuese e rritjes së hovshme të UÇK-së, formimit të pikave dhe shtabeve në Drenicë, Dukagjin dhe gjithandej në Kosovë.

Në atë odë-shtab të parë të UÇK-së në Drenicë, Xhevati, si ushtar i ri i UÇK-së, u njoh, i priti, u shtroi konak dhe i përcolli me traditën shqiptare, figurat më emblematike të Drejtorisë Politike të UÇK-së, ushtarët e parë dhe komandantët e UÇK-së nga të gjitha zonat e Kosovës.

Trimëria prej luftëtari dhe aksionet e marra kundër armikut, deri në ditën e rënies së tij dëshmor, janë të shumta. Bashkëluftëtarët e tij të afërt përshkruajnë çastet e guximit të tij, të padëgjuar ndonjëherë më parë.

Dita e rënies së tij dhe lufta e bërë atë ditë, më 7 prill 1999 në Lagjen e Xhemajlaj të Abrisë, ishte luftë e bërë në afërsi 50 metra mes bashkëluftëtarëve të Xhevatit dhe forcave serbe.

Fjala e tij thënë bashkëluftëtarëve, para se të binte dëshmor, ishte: “Kur këta vijnë të vrasin shqiptarë në Abrinë tonë, deri në fyshekun e fundit kemi me luftue për tokën tonë stërgjyshore” .

Atë ditë, në moshën 25 vjeçe, bie dëshmor, në betejën e luftës fytafyt me armikun, për çlirimin dhe çmimin e lirisë, së bashku me dy bashkëluftëtarët e tij, djalin e axhës, Bedri Demakun dhe Ymer Shalën nga fshati Miradi e Fushë-Kosovës.

Në këtë mënyrë dhe në këtë ditë desha ta shpreh kujtimin sot për ty, në ditën e përjetësimit, bashkëvendësi, bashkëluftëtari dhe heroi ynë, Xhevat Demaku.

Do të jetosh e kujtohesh ndër breza të Abrisë, Drenicës dhe gjithë Kosovës!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ty, Bedriun, Ymerin dhe gjithë dëshmorët e kombit!

 

Abri, 7 prill 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 10 Prill 2022, në ora 11:00 në varrezat e…