Nekrologji / Viti i vetmisë

23 shkurt 2020 | 00:03

H. Mujaj

Me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Xhevahire (Demaj) Mujaj.

Viti i vetmisë së madhe. Shumë të madhe. Një vit nga ndarja fizike. Vetëm fizike. Sepse, shenjtërisht e shpirtërisht, emocionalisht dhe etikisht je me ne: ditë e natë. Gjithmonë. Viti 2019 na bëri të sfilitur, shqim të sfilitur. Përherë të sharguar. Përgjërues.
E shtunë, më 23 shkurt 2019, ora 4. 45. Në Spitalin e Pejës; në internistikë, në dhomën nr. 10.
Me gjithë përkujdesjen e mjekëve, u nda nga mesi i të gjallëve bashkudhëtarja drejtuese e jetës sonë familjare, orientuesja e ngritjes dhe e lulëzimit të jetës – zonja Xhevahire (Demaj) Mujaj.
Vegim i agimit më tronditës; vegim i një agimi të errët e lotues. Përshëndetja e fundit me më të dashurën tonë. Qe përshëndetje trishtuese. Shumë trishtuese. E përvajshme. U nda nga jeta lehtësisht: duke folur, flegmatike, pa asnjë pipëtimë. Në këtë mënyrë sythit e qeshur, që janë ‘’dritare e shpirtit’’, pasi bënë lamtumirën e fundit, zunë dhe u mbyllën përgjithmonë.
Personalitetin tënd e veçonin përbërësit më humanë të etikës si p. sh.: skofia e maturia, altruizmi e gjentiliteti, fisnikëria dhe emfatia, mikpritja e solidariteti etj. Këto cilësi formimi, nga të cilat morëm mësim dhe edukim, të shquanin prore.
Të rritur e të orientuar në frymën e këtyre virtyteve të larta e të tjera të këtilla, patëm jetë të lumtur e të ndritur, vezulluese, plot galdim e hare, me mirosje e disponim; kështu na krijoje atmosferë ngazëlluese e jehuese, sa artësuese, aq edhe mbresuese.
Të gjitha këto na lanë të shtunën e 23 shkurtit 2019. Ditë shumë e pikëllueshme. Përjetësisht na bëri të pikëllueshëm; përherësisht shpirërisht si të vetmuar, të përgjëruar e të heshtur. Sepse, vuajtja shpirtërore davarit edhe fjalët, të cilat sikur na kanë ikur bashkë me më të shndritshmen e më të madhërishmen tonë.
Ngado lëvizim, kudo që shikojmë, i shohim gjurmët e tua, bëmat e tua të arta; na bëhet sikur të shohim në hapësira të ndryshme të shtëpisë së madhe; na bëhet sikur na thërret zëri yt i këndshëm e përkëdhelës, të cilin tanimë po përpiqemi vetëm ta imagjinojmë.
Dy vjet e gjysmë patëm rrugëtim shërimi: brenda e jashtë shtetit. Pate mbikëqyrje të përhershme të mjekësisë sipërore; pate shoqërim e përkujdesje të vazhdueshme familjare: të gjithë viheshim në dispozicion e në pozicion veprimi për t’u gjetur pranë teje.
Udhëtimet e gjata nuk të lodhnin; ato i kaloje gjithnjë e disponuar, e qeshur dhe e freskët. Ekspozimi i epiteteve të këtilla na bënte sikur shkonim në ndonjë shënim solemn. Terapitë e rënda triumfisht i tejkalove.
Në këtë ecuri të gjatë mjekimi, bjeshkë e shkëmb qe: nuk të humbi as estetika e fytyrës; qëndrove vidë e rirë; vigane e rrezore; sutë kreshte; e admirueshme dhe e mahnitshme: ekstazë. Me gjithë përmirësimin e dukshëm, që e pritëm me shendim e lumturi, sëmundja u kthye befasisht, me nxitim e rrëmbim. Edhe kur t’u ndal fryma e fundit, nuk u vele.
Qemë të pandarë katërdhjetë e dy vjet; kudo bashkë: në rastet e ndryshme solemne, në përurime, në jetën private: në shëti, në det, në bjeshkë; në veprimtarinë zyrtare: në takime, në shënime përvjetorësh, në ceremoni të ndryshme akademike, shkencore, kulturore etj.
Ndonëse në papraninë tënde fizike, po e kalojmë kohën duke i përsëritur fjalët e shprehjet e tua që përherë do t’i mbajmë në mendje dhe të cilat do të na shërbejnë si shtysa nxitëse e motivuese për arritje të reja; ato, fjalë e shprehje, u referoheshin mësimeve edukative të mirësjelljes, të humanizmit e të solidaritetit, të tolerancës e të durimit për t’i matur e vlerësuar me bindje fjalët para se të thuhen kudo; për t’i zgjedhur fjalët që nuk vrasin askë, fjalë me të cilat hapen dyer të mbyllura, për të ndërtuar stilin etik dhe estetik të komunikimit me të cilin (stil) vihen e krijohen ndërlidhje emancipuese, civilizuese dhe ndjenja të miqësisë e të mirësisë edhe për të tjerët, stil që mbjell shend të madh për të bimuar vepra të mëdha etj.

Të premtojmë se do t’i kultivojmë e trupëzojmë me përkushtim të gjitha tiparet e sipërpërmendura të shpirtmadhësisë tënde, të cilat na i thoshe përditë. Ato (tipare) do t’i kemi si pikënisje frymëzimesh të thella për ta rirë e për ta shtrirë më tej brenda nesh e më gjerë veprimtarinë moralizuese, edukative, diturore, sociokulturore etj.
Tani po të shkruajmë se mungesa Jote na ka vënë në heshtje; askush nuk flet; nuk kemi fjalë të komunikojmë sepse ato (fjalët) paraqesin fizionominë e shpirtit të përgjëruar si brengë jona, hëpërhë e pakapërcyeshme. Madje, të njoftojmë se, fshehurazi nga njëri-tjetri, sidomos nga nipërit dhe mbesa e vogël-Etika, që të kërkon përditë, ditët e netët tona ndiqen nga malli e lotët për të parën e familjes, ikja e papritur e së cilës na la si të ngrirë: të mallëngjyer e të ngashëryer, të sharguar e të sfilitur.
Qe lexuesja dhe vlerësuesja e parë e disa shkrimeve të mia (H. M.), sidomos e shkrimeve rreth zhvillimeve aktuale në vend. Ndonjëherë me të drejtë më jepje nga një kritikë përkitazi me ndërtimin e përdorimin e disa neologjizmave.
Qe shumë kureshtare për ecuritë risimtare në Kosovë, të cilat i komentonim së bashku dhe, më në fund, piqeshim në një vlerësim.
As sëmundja e rëndë nuk t’i bori kategoritë e larta estetike që të dalluan tërë jetën: bukuria shpirtërore e bukuria fizike; e para zbukuron edhe të dytën- kishte shkruar filozofi i shquar L. A. Seneka.
Edhe pse ndërrove jetë, asnjëra nga këto veti nuk t’u venit. E pabesueshme, por e vërtetë: edhe në arkivol të yjëzonte fytyra: art mahnitës e atraktiv i gërshetuar me shkëndijat më të ngrohta të përqafimeve të fundit, të cilin (art të fytyrës), sa të jemi në jetë, do ta parafytyrojmë me të madh mall e me dashuri.
Të bëftë shpirti dritë!
Me lektisje të përhershme!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e LV-së, Arbërie Nagavci, ka reaguar përmes një postimi…