Nën akuzë për shpërndarjen e koronavirusit, reagon drejtori i laboratorit kinez

19 prill 2020 | 13:24

Drejtori i Laboratorit Kombëtar të Biosigurisë Wuhan, Yuan Zhiming,  ka hedhur poshtë pretendimet se mund të jetë burimi i shpërthimit të koronavirusit, duke e quajtur atë “të pamundur” dhe duke i etiketuar pretendimet si “teori konspirative”.

Reagimi i tij vjen ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më shumë shtohen zërat se virusi mund të ketë rrjedhur nga loboratori qoftë edhe aksidentalisht.

Në një intervistë të shtunën me transmetuesin shtetëror në gjuhën angleze CGTN, Yuan Zhiming tha se “nuk ka asnjë mënyrë” që virusi të përhapet nga Instituti i Virologjisë Wuhan, veçanërisht laboratori i tij P4, i cili trajton viruse të rrezikshme.

“Nga të kuptuarit tim personal të virologjisë, nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se virusi ka gjurmë me origjinë artificiale ose sintetike,” tha Yuan.

“Për më tepër, disa shkencëtarë besojnë se për të sintetizuar një virus kërkon inteligjencë të jashtëzakonshme dhe ngarkesë pune, e cila tejkalon inteligjencën e njerëzve normalë dhe tejkalojnë atë që shoqëria e tanishme njerëzore mund të trajtojë. Prandaj, unë kurrë nuk kam besuar që ne njerëzit tani kemi aftësi në këtë kohë për të sintetizuar një virus të tillë”, shtoi cituar nga VOA në gjuhën angleze.

Asnjë nga stafi i institutit nuk ishte infektuar, tha Yuan, duke shtuar se “i gjithë instituti po kryen hulumtime në fusha të ndryshme që lidhen me koronavirusin.”

Pekini është kritikuar për mungesë transparence në trajtimin e tij të pandemisë, me Shtetet e Bashkuara që hetojnë nëse virusi ka origjinën në Institutin e Wuhanit, ku Juan është gjithashtu studiues.

Raporti zyrtar i infeksioneve në Wuhan ka qenë i diskutueshëm që nga fillimi, ndërsa qeveria kineze ka ndryshuar vazhdimisht kriteret për numërimin e të vdekurve në kulmin e shpërthimit.

Javën e kaluar, autoritetet në Wuhan pranuan gabime në lidhje me numrin e vdekjeve dhe e rritën shifrën me 50 përqind.

Megjithëse origjina e COVID-19 nuk është për t’u përcaktuar, disa shkencëtarë dyshojnë se virusi është transmetuar te njerëzit nga kafshët në një treg të lagësht në Wuhan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komunën e Gjilanit këtë vit në bazë të planifikimit…