Nën masa të rrepta sigurie, të akuzuarit për vrasjen e Bedri Rexhepit sillen para Gjykatës
Nën masa të rrepta të sigurisë janë sjellë në Gjykatë dy të akuzuarit për vrasjen e Bedri Rexhepit, vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 tetor, kishte mbajtur konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së biznesmenit, Bedri Rexhepi, raporton Dukagjini.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti ka bërë të ditur se Bedri Rexhepi është vrarë nga dy persona për shkak të përftimit material, gjegjësisht shumës prej 30 mijë eurosh.
Ai, ndër të tjera, ka bërë të ditur se pasi është vërtetuar identiteti i viktimës dhe pas hetimeve, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vallasaliu, të cilët dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.
Hamiti, ndër të tjera, ka bërë të ditur se hetimi ka zgjatur 18 muaj. Vrasja ka ndodhur për shkak se të pandehurit, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu kanë menduar që Bedri Rexhepi i posedon këto para.
“Kam arritur të vërtetoj dyshimin mirë të bazuar se Jeton dhe Nexhat Vllasaliu kanë kryer veprën penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtim i varreve”.
Hamiti ka thënë se motivi i kryerjes së këtyre veprave penale është i ulët.
Ai ka thënë se në terren ka dalë edhe me të pandehurit, por që dy daljet e para nuk kanë rezultuar me sukses.
“Kemi dalë edhe në terren me të pandehurit. Nuk kanë rezultuar me sukses dy daljet e para. Herën e tretë identifikimin e vendit e kemi bërë vetë, duke përdorur masat hetimore. Në terren herën e tretë kemi dalë vetë, pa të pandehurit”, ka shtuar Hamiti.
Prokurori, Hamiti shtoi se ndaj dy personave të tjerë të cilët dyshoheshin se kanë lidhje me rastin është veçuar procedura dhe hetimet ndaj të njëjtëve po vazhdojnë.