“Nën saç”, libër për fatin e popullit tonë të shtypur

28 qershor 2021 | 13:57

Prof. dr. Muhamet Mala

 

Të nderuara zonja dhe zotërinj, bashkëqytetarë të nderuar të Pejës, e nderuara autore e librit zonja Kryeziu, të nderuar përfaqësues të mediave, pjesëtarë të klerit, aktivistë të shoqërisë civile, të gjithë ju qe me praninë tuaj sot e nderoni këtë promovim të një libri të veçantë, po ashtu me një titull të veçantë,“Nën saç”, të shkrimtares dhe publicistes së mirënjohur dr. Resmije Kryeziu

 

Është kënaqësi për mua që sot t’ju drejtohem nga ky vend i tempullit të Zotit që jo rastësisht është përzgjedhur për promovim dhe në vete përmban simboliken e realitetit të përshkruar në librin që po e prezantojmë, ku fati i popullit të shtypur dhe të pushtuar ishte njëherësh edhe fati i tempujve shpirtërorë të tij pa dallim konfesioni sepse për pushtuesin të gjithë shqiptarët ishin një, ishin një popull që duhej zhdukur historia e tyre e së bashku me të edhe ata vetë. Pikërisht këtë histori që tentuan ta zhdukin pushtuesit serbë na e zbulon në mënyrën më të mirë të mundshme autorja Kryeziu.

Përmes romanit historik autorja i bashkon dy pika të të njëjtit segment: në një anë narracionin e ftohtë historik sepse historia flet me fakte dhe burime, në anën tjetër këtyre fakteve të ftohta historike përmes gjuhës dhe mjeshtërisë së letërsisë u jep gjallëri, ngrohtësi dhe e kombinon faktografinë historike me narracionin dhe bukurinë e letërsisë. Kësi soji del në pah një vepër që përmban histori dhe letërsi dhe kush më mirë se një shkrimtare mund ta përshkruajë historinë e qytetit të saj të lindjes të një periudhe të treguar përmes një të riu, ëndrrat e të cilit shuhen ende pa filluar. Edhe pse romani i dedikohet muzikantit të ri Halit Kasapolli, secili nga qytetarët dhe familjet shqiptare të Pejës mund ta gjejë veten në këtë roman. Figura e Halitit dhe Lumes vetëm personifikojnë emrat dhe fatet e mijëra të rinjve të Pejës në kohën pa kohë të komunizmit jugosllav. Kështu si nëpër ëndrra por, fatkeqësisht, reale, na paraqitet vrasja e babit të Enver Hadrit nga UDBA dhe, po ashtu, edhe e Enverit më vonë, e keqe kjo që përcolli familje të tëra jo vetëm brenda një brezi, por me breza të tërë të luftuar nga i njëjti armik. Po ashtu, fati tragjik i vrasjes në berberhane dhe prapa shpinës i Dervish Kryeziut të përshkruar mjeshtërisht nga autorja ishte edhe fati i mijëra shqiptarëve të tjerë të Pejës dhe Kosovës. Më tutje figura e Nazif Agës, babait të Halitit, është personifikim i shumë kryefamiljarëve të Pejës të atyre viteve të trishta të pas Luftës së Dytë Botërore. Është figura e atyre burrave shqiptarë që pushteti i ri ua kishte marrë ardhmërinë dhe mbijetesën e tyre të vështirë e rendonte edhe më tepër me format më çnjerëzore të persekutimit dhe shtypjes. Duke qenë edhe vetë e lindur në Pejë, autorja nëpërmes librit dhe personazheve, shumë nga ata realë, na sjell para syve tanë atmosferën e ngrohtë brenda familjeve shqiptare, por edhe realitetin e hekurt jashtë në qytet dhe hilet e politikës djallëzore sllave. Janë jashtëzakonisht emocionale përshkrimet që i behën ambientit të familjeve shqiptare të qytetit dhe fshatrave të Pejës ku dominojnë respekti dhe çiltërsia, solidariteti brenda tyre, mandej përshkrimi që u bëhet zejtarëve dhe, po ashtu, këmbëngulësia e tyre për të qëndruar në vatrat e veta dhe për ta nisur jetën nga fillimi. Me ngjyra tejet mallëngjyese përshkruhet përcjellja e familjeve pejane nga stacioni i trenit me biletat e tyre të pa kthim drejt Anadollit. Kur njeriu i lexon këta rreshta dhe e kupton realitetin e asaj kohe të përshkruar me mjeshtri nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj këtyre njerëzve të mjerë që ngritin duart për t’u përshëndetur për herë të fundit me të dashurit e tyre që qanin dhe mallkonin fatin e tyre të mjerë. Duart e tyre të ngritura nga dritaret e trenit që lëshonte tym të zi mbetnin në ajër duke dëshiruar kështu që ta zgjatnin sa më tepër përshëndetjen e tyre të fundit nga vendlindja. Librit ia japin sfondin historik aktorët e njëjtë, pra serbët, me krimet e tyre dhe shqiptarët në të drejtën për mbijetesë. Dhe këto krime përsëriten vazhdimisht në kohë të ndryshme, por me aktorë të njëjtë të këtij teatri tragjik të qytetit të Pejës, duke filluar nga masakra kolektive në kullën e Sheremetit, ku rrugëve të qytetit mbeten qindra shqiptarë të vrarë, shumë prej të cilëve nuk do t’u dihet më as varri, në mesin e të cilëve edhe gjyshi im nga nëna.

Është interesat të shënohet një bisedë nga libri që zhvillohet në mes një personazhe tipike pejane, Gjylshah Honkës, që kishte shtëpinë në lagjen e Kollçakëve afër kullës së Sheremetit, e cila mbesave të veta, lidhur me vrasjet dhe maltretimet në këtë kullë, u thoshte: “Pej qe erdh ky pushtet zoti te faltë, veç piskama vilikama e gjoma e atyre qe po behen natën ne Kullë, e na këtu po i ngojme gjithmonë Det martohet e te fejohet kush don det merr nuse si me kone vejushke. Vejushkat i kane marre natën e i kane çu te shpija e burrit pa salltanet e pa dajre E tash po bojme kështu edhe me cika te reja. Po kush bon dasem ne dite te sodit more zot. Sa ngat i kemi gropat e zeza mbi Karagaq nuk po i ndini bataret tu i gri gjinden tanë. Eh sa djalë none e sa zot shpije për nate po vriten. Kur nuk dihet kur na çokasin derën tone e ju çikat e reja mos me folni mo per dasem”. Ja pra, ky ishte realiteti i zymtë i atyre ditëve të para të pushtetit partizan në Pejë ku as dasmat as gëzimet nuk të gëzonin më.

Në shkrimet letrare dhe shkencore të rralla janë ato publikime që në vete përmbajnë të kaluarën e cila në mënyrë paradoksale do të përsëritet nga koha në kohë, nga shekulli në shekull si në këtë roman. Kësi soji edhe ngjarjet e përshkruara këtu e që i takojnë gjysmës së dytë të shekullit XX përkojnë me ato të viteve ’98, ’99 të po këtij shekulli që ndodhën në Pejë me po të njëjtat viktima dhe po të njëjtët agresorë. Rastet e tilla dëshmojnë faktin se disa ngjarje dhe disa aktorë të historisë, përkundër ndryshime kohore, mbesin të njëjtë në veprime dhe qëndrime duke ndjekur skemat shovene të paracaktuar shumë kohë më parë. Pikërisht libri i zonjës Kryeziu përshkruan, hulumton dhe publikon një qëndrim të tillë të pandryshuar në kohë dhe hapësirë të politikës serbomadhe ndaj shqiptarëve e cila me disa përjashtime të vogla mbeti anti shqiptare që nga koha kur u krijua e deri me sot.

Autorja Kryeziu jo vetëm duke qenë letrare me një sens të hollë të estetikës dhe përshkrimit të frymës së qytetit të Pejës, por edhe duke e qenë në dijeni të zhvillimeve historike, me një guxim akademik dhe me bukurinë e letërsisë dhe imagjinatën e saj, na jep një tablo gjysmë shekullore të qytetit të Pejës. Personazhet e romanit nuk janë imagjinar të krijuar vetëm nga imagjinata, por ata janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tanë, janë baballarët tanë, janë nënat tona, janë të afërmit tanë ngjarjet e të cilëve nuk janë të trilluara, por janë reale. Do të kuptoni vetë posa ta keni lexuar romanin se secili nga ju do të gjej diçka të vetën në të, diçka nga jeta e më të dashurve tuaj, diçka nga jeta e babagjyshit, babait, nënës apo motrës suaj, sepse terrori serb ishte jetëgjatë dhe u shtri jo me një, por me dy, tre apo katër breza brenda një familje. Ky libër është forma më e mirë, më e këndshme që të mësohet e vërteta e atyre viteve të hidhura, e vërteta se si vuajtën, si u torturuan, si vdiqën njerëz të pafajshëm vetëm pse flisnin një gjuhë tjetër, i takonin një besimi tjetër apo nuk dëshironin të bëheshin si ata.

Duke lexuar librin e zonjës Kryeziu kuptojmë historinë e qytetit të Pejës, bukurinë e tij, lagjet e mbushura me pluhur të verës dhe me baltë të vjeshtës, kuptojmë brendësinë e oborreve me hijeshinë e pemëve dhe luleve, kuptojmë pamjet e dhomave dhe rendin shtëpiak të familjeve tona.

Duke lexuar këto përshkrime të bukura kuptojmë shpirtin fisnik të burrave dhe grave shqiptare, kuptojmë brengat e nënave shqiptare te cilat si zana të legjendave të hershme pa zë dhe pa fjalë kontribuuan në ngritjen dhe rritjen e fëmijëve që padrejtësisht ua merrte lufta dhe pushteti. Ato në heshtje bartnin barrët që ua ngarkonte jeta në skamje, duke u marrë shumë dhe duke mos u dhënë pothuajse asgjë.

Autorja Kryeziu në librin e saj ka kombinuar dhe ndërthurur me sukses disa forma të gjinive letrare dhe të prezantimit. Së pari paraqet sfondin historik të personazheve që ajo e njeh shumë mirë, por më tej ajo e vë në veprim stilin letrar duke mos e dëmtuar aspak të vërtetën historike për hir të imagjinatës letrare. Vlerën historike romanit ia shton edhe hulumtimi dhe intervistimi i thellë te shumë nga personazhet e gjalla të këtyre ngjarjeve e të cilat më pastaj trajtohen me mjeshtrinë e shkrimtares së talentuar. Gjuha e përdorur në këtë roman me përmbajtje historike është e lehtë dhe e kuptueshme, madje përdorimi i disa shprehjeve tipike të folmes së Pejës ia shton edhe më tepër origjinalitetin dhe bukurinë këtyre ngjarjeve që trajtohen. Romani fillon me vdekjen tragjike të Enverit, të vëllait të Halit Kasapollit, personazhit kryesor dhe përfundon po me vdekjen e Halitit në mënyrë të dyshimtë, në duar të po të njëjtëve aktorë. Në mes të këtyre dy ngjarjeve përshkruhen edhe dhjetëra të tjera që shumë kënd nga këndvështrimi i sotëm e lënë pa fjalë dhe në mendime se si një qytet i vogël si Peja paska pas në vete ngjarje burrash dhe tragjedish të mëdha.

Romani tregon se si OZNA famëkeqe kishte vrarë tërë parin e Pejës, kishte filluar nga bejlerët Sefedin e Xhevat begu për të vazhduar te secila derë e fisme e Pejës e të tilla ishin shumë. Nga Përroi i Asllan Çesmes në veri të Tabjeve, nga Karagaqi e në çdo rrugë të Pejës përnatë dëgjoheshin rafalë dhe secili nga qytetarët mendonte: “Athua kënd e grinë sot? Rahmet shpirti u paste shkofshin ne xhenet”.

Pasi pushoi vala e parë e vrasjeve në qytet, vazhdoi nëpër katunde me të njëjtin avaz. Qytetarët e kamur të Pejës që i shpëtuan valës së vrasjeve u plaçkitën nën moton “Ratni bogatashi” “Profiterë të luftës” dhe atyre nuk iu la asgjë nga toka apo dyqani. Pushteti i ri po sillte te zezat e vjetra. Zanatxhinjtë që kishin mbetur gjallë apo djemtë e mjeshtërve që baballarët e tyre më shumë kishin vdekur nga plumbi se nga sëmundja, megjithatë nuk u dorëzuan sepse duheshin mbetur gjallë, donin që ta ngjallnin Çarshinë e djegur e bërë shkrumb. Gjendjen e këtyre zejtarëve autorja e paraqet përmes personalitetit të Kolës, bukëpjekësit pejan, kur shkruan: “Kola hyri ne furre te vet ku piqte bukë e ku kishin mbetur dy tri sende pa u kallur dhe nisi lutjen falënderuese qe është gjalle. Beri kryq dhe falënderoj Shen Kollin. Te faleminderit shenjtor qe nuk late te shkoj huq i gjithë besimi ne ju. E ditët ju sa fukareve ju kam dhen buke falas e kur sjam anku faleminderit qe me keni dhëne forcë e besim me fillu prape…”

Janë të tmerrshme torturat dhe presioni psikik e fizik që i bëhej Ademit, një djali të ri pejan, i cili mendonte se pushteti i ri ishte tjetër nga ai i pari, por UDB-a e dëshironte edhe atë ta bëjë si veten dhe këtu thyhen iluzionet e tij e për të mos u tjetërsuar, bën vetëvrasje në lumëbardhin e Pejës duke i vrarë edhe ëndrrat e veta për një jetë më të mirë.

Për fat të keq, në mënyrë tragjike shuhen edhe ëndrrat e personazhit kryesor të romanit Halit Kasapollit, një i ri i dashuruar në muzikë me jetën përpara, por me pengesat që nuk donte t’i shihte e që dora e pushtetit ia kishte vendosur në rrugën e tij. Është dramatike biseda që ai e bën me babën e vet, Nazif Agën, para se të niset për Beograd në studime. Kjo bisedë përfaqëson mendimet e dy brezave: njërit të vjetër që jeta e pushteti e kishte goditur rëndë dhe mësuar se shkaut nuk duhej besuar dhe tjetrin brez të ri që kishte ngritur grushtin lart për ta hapur rrugën e zënë pa menduar se në këtë rrugë do të bjerë edhe vetë

Ja disa citate nga kjo bisedë në mes dy brezave, babës e birit, e që autorja na i paraqet në mënyrë origjinale përmes të folmes së Pejës:

“Fol Halit çka te ka ra ndërmend e don me ba tash

Hiç Tade tana jan te vjetra.. Po du me shku ne Beligrad me u regjistru ne Akademi te Muzikes

Hajli koftë po a e ki mëndu mire këtë pune

Tadë tan shokte e mij janë shku atje me studioju une kam mbete i fundit pse mos me shku edhe une

A e she, Po vetë a je rrite birre ne kete shpi a ke harru çna kan bo. nje her mu e tani vllaznive tu. Tani ku i ki ata…

Bash prej çati Beligradi, e ti po ki ftyre me vete pse ton kto vite e ton ket trup e bone e nuk mujte me marr vesh pse u bo ton ky shydet ne shtepin tonde…

O Halit djali, a ke harru kur me kthejshin pej kulle e me gjujshin para dere si nje thes plehi nona jote e motrat e mija zhag mengrehshin deri posht te hajati, Ma hekshin japangjen e cullak me shtishin ne lëkur te dashit. A e mban mend..thojshe jo se po vjen era e keqe.Ather ikshe si i trishtum e mu ma shume mu dhimshe ti se dhimte e mija. Tash je rrite a e ke vete veten ndojher pse me kan ba ashtu e me kan pru ne prag te dekes. Çka ke kujtu a mos jam kon ndoj burr i keq. Ti je djali im une pshtova prej pushkatimit por mos kujto se m dashten. Më lan me më denu me djem. A po e sheh ku o Nazmija,ku o Hamdija ku o Enveri e Fahrija po e din sot çysh osht. Po më vjen zor me ti thon kto fjale po kjo pune asht çysh po të thom un. Kta jan te njëjtit. Nuk kan ndru karshi nesh e as kurr nuk ndrrojne .Une djal nuk po ti kapi komte me ti ndale hapat shko kah te dush Shko e paq veten ne qafe. Nisu kah Biligradi e kah te dush.

Halitit i vlonte koka prandaj nuk priti dhe iu përgjigj.

Une Tadë atje vetëm zanatin du me marre, kthehna prape ne Pejë me punu. Po ti hala se more vesh se ty nuk te lone gjalle me u kthy ktu. Dije me sandek kan me te pru ne Pejë.

Dhe kështu me te vërtet ndodhi Profecia e Nazif Ages u realizua ne përpikëri

Ato pak vite te studimeve qe i kaloi ne Beograd nuk e tjetërsuan Halitin. Ai terë jetën e ruajti dashurin për Pejën dhe familjen Ne bisedë me të dashurën, Lumen i thoshte :”Po mendoj Lume po thom kur ti kryj studimet kom deshir me jetu ne Pejë. Aty frymëzohem kompozoj.Tjeter kund isha kon dikush tjetër e un nuk du me kon dikush tjetër. Du me kon veç ky qe jom..Muzika jon popullore folklori jan inspirim per mu. Peja osht Lume si thot populli “pellomb e bereqet”

Ishin këto fjalët e fundit që autorja ia vë në gojë Halitit dhe takimi i tij i fundit me Lumen.

Pak dite pas kësaj në shtëpinë e Nazif Agës erdhi një telegram në serbisht, por ne po e lexojmë shqip.

“Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm në Beograd.

Ju informojmë se dje në orën 17.00, gjatë operimit të veshkave dhe pas komplikimeve që ndodhën, vdiq pacienti Halit Kasapolli. Trupi i pajetë do t’ju përcillet nesër.

Beograd, 30 prill 1959”

Në qytet shpejt u përhap lajmi. Ishte dite me diell, por ky lajm i trishtuar e shndërroi pranverën në vjeshtë. Zemrat e qytetarëve që e kishin dashur këtë djalë të ri, lajmi i përshkoi si plumbi.

Si diç djali. Mos vet a ka dek a e kan vra. Zoti i madh e di ketë dhe ata ne duart e te cileve ka vdek” ishin bisedat që më së tepërmi i bënin atë ditë pejanët.

Lagjja e Jarinës, pas ardhjes së kufomës, u mbush plot me njerëz. Kufomën e kishin përcjell shokët e tij të Akademisë së Muzikës dhe me vetë kishin sjellë edhe një gramafon që e kishin vendosur në bahçe, dhe derisa po përgatitej kufoma për varreza, dëgjohej rreth e rrotull një muzikë që pakkush e dinte se ishte Simfonia e Pestë e Betovenit. Tingujt e Betovenit jehonin me dhimbje të madhe duke i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që personifikoi më se miri fatin tragjik të qytetarëve të Pejës të atyre viteve të zeza.

Tani për fund të them me optimizëm se pas çdo nate të errët, vjen drita dhe shpresojmë që nga ky shekull ngjarje të tilla të trishta mos të përsëriten kurrë më, dhe ato vetëm të mbesin të shkruara nëpër libra të historisë dhe romane si ky që promovojmë sot.

Zonjës Kryeziu i dëshirojmë shëndet dhe le të na befasojë edhe më tutje me shkrime të tilla të bukura.

Ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo thyen heshtjen pas eliminimit të Portugalisë nga “Euro…