Nëna donte t’ia thyente dhëmbët, por Houellebecq mund të jetë romancieri më i madh i gjallë
Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Kur më parë shkruaja për Michel Houellebecqun, zakonisht dy gjëra i qartësova – meqë nuk doja t’i mashtroja lexuesit e mi. Së pari, Houellebecq është kryeprifti i mjerimit, duke ua kujtuar vazhdimisht ndjekësve të vet se atje është një botë e tmerrshme dhe se jeta, nëse jo domosdo e shkurtër, shpeshherë është e keqe dhe e vrazhdë. Por, çështja e dytë është se ai është aq afër gjeniut sa edhe çdo shkrimtar tjetër sot; librat e tij gumëzhijnë me njohuri rreth gjendjes njerëzore dhe nëse ai nuk është romancieri më i madh i gjallë, do të doja të dija se kush është.
Megjithatë, si për shumë shkrimtarë të mëdhenj, për Houellebecqun çështja mund të jetë për – siç thonë francezët – chacun à son goût: nuk do t’i kënaq të gjitha shijet, sado mirë që ndërton romanet dhe shpreh mendimet e veta. Imagjinata e tij shpërtheu më shumë se zakonisht me romanin e tij të dytë, Les Particules élémentaires, të shkruar në vitin 1998. Fjala është dy gjysmë-vëllezër që janë viktima të edukimit (të veçantë): tema e Philip Larkinit për efektet e “nënës dhe babit” e dominon narrativën. Romani është apokaliptik dhe kjo duket për shkak të titullit që i është dhënë përkthimit në anglisht, Atomised [të atomizuar]. Me gjithë vlerën që ia kushtojmë jetës sonë, ne thjesht jemi grimca elementare; një temë e vërtetuar nga Misheli, njëri nga gjysmë-vëllezërit që trajnohet si biolog molekular dhe që zhvillon një program të klonimit njerëzor.
Burrat kanë të përbashkët nënën, një degjenerike të viteve 1960 e mbushur me drogë për të cilën etiketa “hipike” nuk e përcjell si duhet ndjenjën e mizorisë së saj. Pasi largohet, Misheli rritet nga gjyshja. Autori dhe nëna e tij kishin një trajektore jashtëzakonisht të ngjashme, që e shtynte atë ta përçmonte nënën dhe, pas portretizimit më të pahijshëm që mund të imagjinohet për të në roman, ajo e kërcënonte se do t’ia thyente dhëmbët me shkop. Disa kritikë e kanë parë veprën si epikë të vetobsesionit, por nëse ndjenja e braktisjes së vetë Houellebecqut nga prindërit ishte gjysma e zymtë e homologut të tij imagjinar, atëherë mund t’i falet kjo përpjekje për ta nxjerrë atë nga sistemi i tij.
Pjesa më e madhe e librit është sipërfaqësisht e neveritshme – veçanërisht detajet rreth mundimeve të gjysmë-vëllait të Mishelit, Brunos, ndërkohë që është në atë një konvikt mizor. Të paktën gjyshja e Mishelit tregon njëfarë interesi për të: por, ndërsa ndjek studime që përfundojnë dhe ndryshojnë jo vetëm jetën, por edhe botën – me ekzistencën që humbet magjinë dhe misterin dhe thjesht fjala bëhet për atomet – bëhet introvert deri në ekstrem (dikush dyshon për një shkallë autizmi ) dhe e ka pothuajse të pamundur të krijojë marrëdhënie normale me të tjerët, përfshirë Anabelën, shoqen e shkollës të cilën ai e do. Përfundimisht – më shumë se 20 vjet më vonë – e tentojnë intimitetin dhe kjo është një tjetër fatkeqësi.
Historitë e të dy burrave, në fund kanë të bëjnë me eliminimin e ndjenjave normale njerëzore (një proces i nisur me sa duket nga prindërit, veçanërisht nëna), dhe rolin e tyre në krijimin e jetës. Megjithatë, kursi i Brunos është mjaft i ndryshëm nga ai i gjysmë-vëllait. Bëhet i varur nga seksi, duke u mbështetur në shërbimet e prostitutave – derisa përfundimisht e takon një grua të interesuar për këto çështje po aq sa edhe ai. Nuk dua ta prish kureshtjen për librin pasi, përkundër përmbajtjes jo shumë tërheqëse, është i shkëlqyeshëm dhe shpresoj se disa prej jush do të mendojnë ta lexojnë; por, fundi është i parashikueshëm, megjithëse në një mënyrë të paparashikueshme (pak personazhe largohen nga romanet e Houellebecqut në mënyrë konvencionale), dhe Bruno përfundimisht çlirohet nga azili mendor (ku është dërguar për shkak të paaftësisë për të kontrolluar veten kur është në publik) nga gjysmë-vëllai i tij më racional, por jo më pak i dëmtuar.
Libri është i mbushur me humor marramendës, me speciet njerëzore që janë në gjendje të shpëtojnë veten vetëm duke shkatërruar mjetet e mbijetesës. Askush nuk duhet ta lexojë duke pritur se do ta marrë veten. Por, kjo do t’ju përshtatet shokëve cinikë të autorit dhe të gjithë atyre që nuk e pranojnë jetën ashtu siç është. Përkthimi në anglisht nga Frank Wynne është i velit më të lartë, por nëse e lexoni frëngjisht, e lexoni origjinalin, sepse gjenialiteti i Houellebecq qëndron po ashtu në atë se çfarë stilisti superior është. /Telegrafi/