Nëna e Diana Kastratit bën një shkrim prekës, pas vendosjes së pllakatës me emrin e saj
Nëna e të ndjerës Diana Kastrati, e vrarë në Prishtinë vite më parë nga ish-burri i saj, i cili është ende në kërkim, ka bërë një shkrim prekës.
Ajo nuk ka mundur të qëndrojë e heshtur, pasi sot ka parë një pllakat të madh në kryeqytetin e Kosovës, me emrin e të bijës së saj të ndjerë.
Emri i Dianës dhe i Zejnepe Bytyqit, që të dy gra të vrara nga burrat e tyre, për dhunën ndaj të cilave shteti ishte paralajmëruar, por nuk kishte vepruar, janë vendour në dy prej billbordeve të kryeqytetit, afër monumentit Newborn.
“Edhe sa thirrje të humbura?”, është një tjetër pllakat, që është vendosur pranë këtyre dyve, të enjten.
Vendosjen e tre pllakatave e ka bërë grupi artistik “Haveit”, në përbërje të Hana dhe Vesa Qenës dhe Alketa e Lola Sylaj, të njohura për intervenimet artistik në hapësirat publike.
Intervenimi i grupit artistik “Haveit” është inspiruar nga filmi “Three Billboards outside Ebbing, Missouri”, që flet për një grua e cila është në kërkim të dhunuesit dhe vrasësit të vajzës së saj në një qytezë amerikane.
“Nuk e kisha besu qe mund ta kaloj fotografin me emrin tend ne qytet e mos te ve re”, ka shkruar nëna e Dianës në profilin e saj në “Facebook”.
“Qika jeme, Diana, emrin tend nuk po e lejojn te harrohet qikat e qytetit”, përfundon shkrimi i Makfire Kastratit.
Shkrimi i plotë i Makfire Kastratit:
Nuk e kisha besu qe mund ta kaloj fotografine me emrin tend ne qytet e mos te ve re.
Kur ishe e vogel enderroja se si do te dukesh e madhe, kur rregulloja flokt tua te bukura e te gjata, mendoja qka do te behesh kur te rritesh.
Kur te veja ne gjume, lutesha tek Zoti te kujdeset per ty, te fal fatin e mire.
Mua, nones Diane, sot me ndodhi te kaloj tek fotoja jote ne qytet, qe kishin vendos vajzat e qytetit per kampanjen “EDHE SA THIRRJE TE HUMBURA” me emrin tend DIANA KASTRATI dhe mos ta vej re.
Nona kame enderruar gjerat me te bukura per ty, e nona mbet pa ty ne moshen tende me te mire. Ti doje te ishe e famshme, po ndryshe. Ti besoje qe emri yt eshte i madh, e emri yt u be sinonim i dhunes ne familje, i mentalitetit tone te poshter, i vrasjes se gruas.
Diana, ti bashk me Zejnepen e gra tjera, ju morre jeta nga ata qe ju dhate femijet, nga ata qe ish dashur te ju duan.
Qika jeme, Diana, emrin tend nuk po e lejojn te harrohet qikat e qytetit.