NËNA STANË ME SHPIRTIN E SAJ MAL
Ismeti, si gjithnjë, dinamik e aktiv.
Jo rastësisht shënon tema dhe momente që të rikthejnë emocione të veçanta dhe që rikujtojnë histori të veçanta.
Edhe shkrimi i fundit për Nënën Stanë, me kënaqësi na solli copëza të librit që ende nuk është shkruar e që duhet shkruar, ku në brendinë e tij do të ketë personazh kryesor nënën, nënën shqiptare, e cila në të gjitha etapat e historisë sonë të dhimbshme e të lavdishme, sidomos në luftën e UÇK-së, ishte palca kurrizore e rezistencës, mbijetesës dhe fitores sonë…
Kësaj here, sa me vend dhe me meritë, e veçoi nënën Stanë, mbase për shumë arsye ajo është e veçantë.
Edhe sot ajo është e veçantë, edhe pse në moshë të shtyrë, me të gjitha vështirësitë e jetës, të lindjeve, të vuajtjeve, të vështirësive, të punës e të luftës, qëndron si shkëmb graniti.
Ajo edhe sot na motivon dhe fuqizon për të ecur drejt realizimit të idealeve të brezave…
Në shikim të parë, sapo ta takosh, te ajo gjen nënën bujare, të butë, të urtë e shumë të dashur, por edhe të rreptë dhe të prerë në qëndrime, tamam nënë e legjendave…
Prandaj, të lumtë shoku Ismet, sa emocion të veçantë na ke sjellë duke na afruar dashurinë e Nënës Heroinë që personifikon të gjitha ato nëna që nuk janë më në mesin tonë, e që kanë shkuar pa iu shkruar së paku një shkrim biografik për ta pasuruar atë libër të madh që do të shkruhet.
Ato nëna që pritën lirinë, që djemtë dhe vajzat e tyre ia falën lirisë, dhe ato nëna që patën fatin që djemtë e tyre t’ia falnin lirisë, por fati deshi që ata të ktheheshin bashkë me lirinë…
Duke lexuar shkrimin dhe rrëfimin që ke bërë për nënën Stanë, më ke rikthyer në kujtimet e mia për takimet e shpeshta, gjatë dhe pas luftës, me këtë nënë të madhe shqiptare.
Vargu i gjatë i ushtarëve tanë kishte përjetuar ngrohtësinë që ua kishte ofruar nëna Stanë me shpirtin e saj mal, me zemër dhe bujari duke ua shtruar sofrën dhe ngrohur trupin.
Më shumë sesa figura e vetë nënës Stanë, më rrisin emocionet rrëfimet e ushtarëve që patën fatin të pushojnë në odën e ngrohtë me sofrën plot që ua shtronte Nëna Stanë…
Shoku Ismet, me këtë shkrim plot emocione, ke fuqizuar kujtimin e nënave tona të shumëvuajtura, me të gjitha mundimet që ua kishim sjellë gjatë gjithë jetës së tyre.
Sa vuajtje i kisha sjellë unë nënës sime, e sa ti dhe shokët e tjerë, duke përballuar arrestimet, burgosjet, dënimet dhe vizitat nëpër burgjet anembanë Jugosllavisë fashiste, e në fund edhe luftën, por gjithmonë duke qëndruar të forta, me sy të patrembur, tamam heroina!
Të lumtë shoku Ismet, me këtë shkrim na ktheve ngrohtësinë dhe përkujdesjen e nënave tona me gjithë përkushtimin e madh që kishin për ne, duke na forcuar dashurinë për atdhe dhe liri!
Shemsi Syla,
Prishtinë, 15.09.2024