NËNË STANË GASHI DHE KONTRIBUTI I SAJ NË USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

31 mars 2025 | 00:28

I nderuar Dom Frrok Zefi!

Të nderuar priftërinjë, Dom Lush Gjergji, njëri nga simbolet e pajtimit të gjaqeve në Kosovë, Dom Fran Sopi, Dom Viktor Sopi!

Shumë e dashura Nënë Stana!

Te nderuar bashkluftëtar, djem të Nënë Stanës, Filip, Fatmir e Viktor dhe familje e gjerë e Nënë Stanës, vajza e djem, nipa e mbesa, motra e vëllezër dhe farefis nga Peshteri e Brusi!

Të nderuar bashkëluftëtar e komandant të pikave të Mramorit e Verbicës, koridorit të UÇK-së, Ejup Gashi – Mala dhe Naser Ahmeti-Celi!

I nderuar delegacion i Shoqatës të Organizatës të Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryetar dhe anëtar të Kryesisë së Vitisë!

Të nderuar te pranishëm,
besimtar e besimtare të Kishës Shqiptare Katolike të Binçës!

Në jetën time kam dëgjuar për shumë kisha shqiptare katolike, por ajo që për të cilën më shumti më kanë folur e për të cilën kam propaganduar edhe unë në aktivitetin tim ilegal, patriotik atdhetar në Lëvizjen Popullore të Kosovës e edhe gjatë luftës së UÇK-së, është kjo kisha e famshme e Binçes, me këto tabllo të mëdha të pikturave liridashëse autentike shqiptare!

Me këtë rast ua dërgoj nga një përshëndetje ushtarake Kryekomandantit të Arbërit, Gjergjit të Lavdishëm, Gjergj Kastriotit Skenderbeut!
Luftëtarit e misionarit historik shqiptar Pjetër Bogdanit!
Martirëve Shqiptar të Karadakut, të kohës së luftës e rezistencës mbinjerëzore antiosmane!
Mbledhësit të folklorit, arkeologut dhe publicistit, njohësit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, te papërsëritshmit Shtjefën Gjeqovit!
dhe krejt në fund Nënës tonë të madhe Nënë Terezës, e cila Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, ia kërkoi ndërhyrjen ushtarake për shpëtimin e popullit shqiptar dhe çlirimin e Kosovës nga zgjedha e Serbisë pushtuese!

Jam shumë i lumtur e do ta ruaj si gjënë më të shtrenjtë të jetës time, që sot nga tribuna e kishës shumë të dashur për mua e për shumë atdhetar, patriot e luftëtar të denjë shqiptar, i drejtohem auditorit të nderuar në fjalen time, për Nënë Stana Gashin dhe kontributin e Saj,në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Të nderuar të pranishëm,
Nëna shqiptare katolike, Stanë Pjetër Gashi, njëra prej Nënave të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas publikimit të shkrimit në kohështrirjen time në facebook dhe në gazetën më të guximshme shqiptare “Epoka e Re”, më 8 shtator 2024 e deri te Dekorimi solemn nga Presidentja e Kosovës me Nedaljen Presidenciale” Shën Tereza” më 18 Shkurt 2025, përfundimisht është bërë e njohur për të gjitha shtresat e popullit shqiptar, njihet në të gjitha anët e Atdheut, dhe e admiron i tërë Kombi ynë liridashës e paqedashës!

Nënë Stana Gashi, sikur në legjendat e famshme shqiptare, jo vetem është bërë e njohur dhe ka pushtuar çdo familje heroike e historike, origjinale shqiptare, por është bërë pjesë e ndritur, logjike dhe epike e luftës titanike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe është sistemuar e ngulitur thëllë te secili pjestar koshient e vigjilent i kombit tonë, për të ecur vertikalisht e për të mposhtur të gjitha pengesat që na i kishin ngritur dikur armiqt pushtues dhe për të triumfuar e për të jetuar, të lirë dhe të pavaruar e në akord të plotë me botën e qyteteruar dhe moderne euroatlantike!

Është hequr pluhuri i harresës mbi personazhin mitik të Nënës së UÇK-së, bukëdhënëses historike të ushtarëve të saj, atyre që pas bukës së bekuar të ngrënë te Nëna e tyre shqiptare katolike, luftonin heroikisht dhe derdhnin gjakun në betejat për jeta a vdekje me gjakpirësit e kriminelët serb, sot Nënë Stana, djemt e luftës që i ka ushqyer me duartë e Saja, ndriqojnë në varrezat e Heronjëve dhe Deshmorëve Kombit!

Nënë Stanë Gashi është nënëmadhe orgjinale shqiptare!
E veçanta e madhe është se Nënë Stana është Nëna shqiptare katolike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Nënë Stanë Gashi është Nënë Tereza e UÇK-së!

Duke qenë se Nënë Stana, përfundimisht i ka shpartalluar të gjitha bllokadat, dhe tashmë është ngjitur në lartësitë e duhura, e të merituara të nderimit absolut, jo vetëm nga UÇK, por edhe nga institucionet e Kosovës, propozoj që Nënë Stana, të nderohet e të dekorohet edhe nga Katedralja Nënë Tereza e Kosovës në Prishtinë, por edhe të nderohet me mirënjohje nga Selia e Shenjtë e Vatikanit dhe pse jo edhe direkt nga Ati i Shenjtë, sepse përpos nderimit të Nënës tonë të dashur, të nderuar e të shtrenjtë Stanë Pjetër Gashi, nderohet dhe i rritet prestigji edhe më shumë i të famshmës Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK!

Sa më shumë të nderohet Nënë Stana Gashi, kjo Nënë heroinë e gjallë, aq më shumë dëshmojmë se UÇK ishte e futur thellë në popull dhe se rrënjët i kishte në vlerat e lashta, që nga koha e Skënderbeut, atje, kurdoherë e atëherë, kur etërit tanë ishin të rreshtuar pro vlerave europiane dhe amerikane!

Faleminderit për organizimin e këtij evenimenti të madh kombëtar, i nderuari Famullitar i Kishës së Binqes, Dom Frrok Zefi!

Jetë të gjatë e të lumtur Nënës së UÇK-së, Nënë Stana Gashit!

Ismet Sylejmani,
Binçë, 30 Mars 2025!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori dhe një nga ish-banorët më të spikatur të Big…