“Nënë Tereza nga Shkupi në Kalkutë”
Me datë 29 qershor 2023 në Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup përpara një numri të madh të artdashësve u shpalos eskpozita e tretë me mozaikë “Nënë Tereza nga Shkupi në Kalkutë” të punuar nga akademiku Izet Zeqiri.
Një vështrim mbi këtë ngjarje ka shkruar edhe Profesoresha e Historisë së artit, Jëlldëz Asani e cila e filloi kumtesën e saj me një thënie nga Nënë Tereza: “Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të”.
Në vijim po ju sjellim tekstin e plotë të vështrimit të Jëlldëz Asanit: “Në këto kohëra të turbullta, kur kemi aq nevojë për dashuri, mirëkuptim, bamirësi, solidaritet dhe për më shumë qetësi shpirtërore, figura e Nënë Terezës është kthyer në një sinonim të dashurisë dh respektit të ndërsjellë ndërmjet njerëzve. Zemra e madhe e Nënë Terezës, dhe ledhatimet e duarve të saj shëruan aq shumë plagë shpirtërore të skamnorëve.
Nënë Tereza, si një figurë emblematike është kthyer në një burim të pashtershëm inspirimi artistik. Ndaj jo rastësisht, figura e saj ka frymëzuar shumë krijues nga vendi dhe bota, duke u bërë objekt trajtimi i shtypit të përditshëm, letërsisë, pullave postare dhe mediumeve të ndryshme artistike pamore siç janë: piktura, skulptura, fotografia etj.
Pikërisht edhe kësaj radhe figurën e Nënës Terezë e sjellë në mënyrë shumë të veçantë në teknikën e mozaikut edhe akademiku Izet Zeqiri.
Dihet që, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u lind, u rrit dhe u edukua në mjedisin multietnik të Ballkanit. Dhe sekuenca të ndryshme, që aty, duke filluar që nga vendlindja e saj, Shkupi, ku edhe nisi veprimtaria humanitare dhe vazhdoi përgjatë viteve nëpër rrugëtimet e golgotshme kalkutiane, dhe deri në ikjen e saj në përjetësi, marrin formë artistike në ciklin e veprave të realizuara në teknikën e mozaikut të krijuara nga profesori, Izet Zeqiri.
Dhe për të qenë simbolika e këtij projekti artistik të autorit në fjalë akoma më domethënëse, duhet theksuar faktin se kjo ekspozitë po hapet këtu në Shkup, më saktësisht në Universitetin që mban emrin e Nënë Terezës, e cila do të ketë statusin e ekspozitës së përhershme në këto hapësira.
Autori, Izet Zeqiri, ndonëse aludon teknikën e përzier, e njohur si opus mixtum, por meqenëse ka përdorur materiale të ndryshme në realizimin e veprave të tij, ai spontanisht arrin një version autentik të teknikës së mozaikut e njohur si opus varvaricum. Pra një teknikë kjo që shkon përtej disa parimeve të teorisë figurative, siç janë proporcioni, simetria, por vjen edhe sikur e porositur për një artist autodidakt, siç është autori në fjalë. Megjithatë, me ndërthurjen mjeshtërore të elementeve figurative: koloritit, kontrasteve me copëza shumëngjyrëshe prej materialeve të ndryshme, Zeqiri, me ndjeshmëri vizualizon humanisten më të madhe të shekullit XX-të. Figura e Nënë Terezës në këto vepra përcillet edhe me objekte të ndryshme profane dhe sakrale nga Çarshia e Vjetër dhe nga Kalaja e qytetit të Shkupit.
Virtytet, cilësitë e shpirtit, urtësia dhe dashuria e një gruaje shqiptare që përmes sakrificave rrezatojnë një madhështi dhe fuqi hyjnore pasqyrohen edhe më mirë në mozaikët të Izet Zeqirit. Sidomos spikasin portretet në fjalë, në të cilët transponohet urtësia njerëzore, thellësia psikologjike, mishërimi hyjnor dhe buzëqeshja e saj e ngrohtë dhe e lehtë, nxjerrin në pah imazhe lehtësisht të identifikueshëm të saj. Pra, pikërisht, teknika e mozaikut i mundëson autorit në fjalë një artikulim të sigurt të elementeve të perceptimit dhe kujtesës, duke e sintetizuar përmes një qasjeje origjinale e cila buron nga inspirimi i sinqertë i Izet Zeqirit.
Nëpërmjet ekspozitës së tretë të tij me mozaikë, që shprehë një homazh pamor monumental për shenjtoren tonë të madhe, Nënë Terezën, Izet Zeqiri, arriti që këtë personalitet emblematik të humanizmit në shkallë botërore, të na e kthejë nga Kalkuta në Shkup dhe ta përafroj artistikisht me publikun e vendlindjes së saj. Meriton përgëzime!