”Nënë Tereza versus Regan”
”Ndeshje me të keqen”
Staffan de Mistura, një jetë me luftëra dhe zgjidhje konfliktesh.
Stafan de Mistura është një diplomat suedeze-italian. Autori i librit Erik Olson ka bërë një libër me intervistat e zhvilluara me këtë veteran të OKB-së. Ai sjell këtu një pjesë të jetës së këtij diplomati si i dërguar i KB në vende të ndryshme të botës, ndër tjera edhe në Ballkan.
Shuquri Sejdijaj, Stokholm
Në këtë kapitull bëhet fjalë për angazhimin e Stafan de Misturës në zgjidhjen e konfliktit në Sudan. Te ky vend fascinues dhe mjaft i komplikuar ai po kthehej për herën e dytë pas 15 vitesh. Herën e parë më 1970 kur dhe ishte më i riu në zyrën e World Food Programe në Kartum. Por tani më 1986 po kthehej prap por si përgjegjësi kryesor i veprimtarisë së WFP.
Në vjeshtën e vitit 1986 guerile SPLA kishte marrë kontrollin mbi një pjesë të madhe të fshatrave në Sudanin jugor mirëpo qytetet ende ishin nën kontrollin e armatës shtetërore. Guerila posedonte me robotë sovjetik Sam-7 që mund të godisnin avionët dhe ata nuk përtonin fare për ti përdorur. Qyteti Xhuba ishte i rrethuar nga të gjitha anët prej forcave guerile të cilat pengonin dërgimin e ndihmave me ushqime dhe medicinë. Atëherë llogaritej se vetëm në Xhuba kishte mbi 50 000 njerëz të ikur nga lufta dhe gjendja ishte po aq urgjente edhe në rajone tjera dhe drohej që afër 300 000 njerëz mund të vdisnin urie.
Ishin bërë përpjekje të ndryshme që të gjendej një zgjidhje por pa sukses. Madje një nga liderët e guerilës i kishte thënë Misturës. ” Si duket paske vendosë me u ba Dag Hamarshëldi i ri”. Kërcnimi për vrasje ishte i prerë por me qetësinë e tij Mistura e kaloi këtë situatë. Qëllimi i tij dhe i OKB-së ishte dërgimi i ndihmave për popullsinë civile. Gjendja bëhej edhe më e ndërlikuar nga fakti se as qeveria sudaneze nuk ofronte ndihmesën e saj dhe në këtë pikë Mistura kishte filluar të pyeste veten, çka dreqin po bëj këtu kur askush nuk shfaq interesim për angazhimin tim!? Madje kishte fituar edhe një infeksion që shoqërohej me dhembje stomaku, temperaturë dhe diarre.
Një mbrëmje, i vetmuar dhe në këtë gjendje ndërsa po mendohej në zyrën e tij në Kartum e paraqiti vizitën e saj një grua e brishtë. Ajo ishte e veshur me një sari të bardhë me vija blu dhe dukej se ishte 70 vjeçe. Para tij u shfaq nënë Tereza, e cila jetën e saj ua kishte kushtuar të varfërve dhe të përvuajturve në Kalkutë të Indisë.
Po çfarë donte ajo në Kartum?
Së shpejti do ta mësoja këte, tregon Mistura. Kjo grua e dobët nga shëndeti u fut brenda me hapa të guximshëm.
“Ky është ai djaloshi që dëshiron të shpëtojë të uriturit në Xhuba?”, pyeti ajo.
Mistura ishte 39 vjeç dhe ia pohoi me kokë duke thënë “po”.
“Unë jam nënë Tereza”, i thotë ajo.
Afër saj ishte edhe një zonjë tjetër e veshur si murgeshë që u prezantua si Mirtila, sigurisht sekretaresh e saj.
Mistura vazhdon të rikujtojë se ajo i tha që një ditë më pare kishte ngrënë mëngjes në kështjellën Gandolfo me Papën .
Në këtë kohë papë ishte Johanes Paulus II dhe ai bashkë me nënë Terezën kishin dëgjuar radio BBC-në ku ishte raportuar për urinë që godiste Sudanin. Duke ditur që nënë Tereza ishte në rrugë për në kryeqytetin e Kenisë në Najrobi, i kishte propozuar të ndalej në Sudan për të parë gjendjen nga afër.
“Dhe siç më shef, ja këtu jam dhe dua t´u ndihmoj. Më thuani ku qëndron problemi? Pse ata të shkretë në Xhuba nuk marrin bukë?
Mistura ia tregon asaj hartën e Sudanit duke i shpjeguar pikat më të ndjeshme…
Ajo e ndërpren duke i thënë: ” Këto që po më tregon duken të ndërlikuara. Unë dua ta di, pse buka nuk mbërrin te ata të shkretë në Xhuba?”
”Kjo po ndodhe për shkak se Xhon Garangu, lideri i guerilës ka thënë se do të gjuajë avionët që vijnë me ushqime”.
”Atëherë po e thërrasim Xhon Garangun. Flas unë me te”.
”S’ka mundësi. S´pari as që kam numrin e tij dhe s´dyti qeveria sudaneze mund të më dëbojë nga vendi. Garangun qeveria e shef si terrorist dhe me të nuk bën të negociosh”.
“Atëherë thërrasim te qeveria e Sudanit” propozon nënë Tereza.
“Por shefi i qeverisë sudaneze ka udhëtuar për në Uashington”.
“Atëherë s´paska kurrfarë problemi. E thërrasim Ronaldin. Ai është njeri i mrekullueshëm. Ai dhe Nansy do ta kuptojnë problemin tënd.”
Natyrisht që Ronald Regani ishte president i SHBA-së në atë kohë dhe gruaja e tij ishte Nansy. S´kisha pse të dyshoja që nënë Tereza i njifte ata, sepse Tereza ishte një ikonë që kishte miqë të shumtë me vlera, numri i të cilëve ishte edhe më i madh pasi ajo kishte marrë edhe çmimin Nobël për paqe, rrëfen Mistura.
Mirëpo Mistura ende nuk e shifte si ide të mirë që ti telefononin Reganit. Pse duhej të ndërhynte ai? Pastaj kishte edhe disa pengesa praktike. Kontakti me botën kalonte nëpër kanale të stërzgjatura dhe jo shumë të sigurta. Kjo bëhej nëpërmjet një radio komunikuese që ishte e lidhur me një tel qendër në Cyrih. Në anën tjetër nëse bëhej radio thirrje atëherë teoritikisht mund ta lidhnin me Shtëpinë e Bardhë. Por as vet nuk kishtr ndonjë propozim më të mirë prandaj vendosi ta pranojë këshillën e zonjës. Kontaktoi me Cyrihun dhe ju lutë që ta më lidhnin me centralin e Shtëpisë së Bardhë.
Një telefonist i shqetësuar në DC Uashington kapi telefonin. Mistura u prezantua dhe i tregoi shkakun pse po i merrte në telefon.
” Me mua në Kartum është edhe nënë Tereza dhe ishte ajo që më tha ta kontaktoja presidentin Regan.”
Linja ishte kërcëlluese mirëpo toni sarkastik në anën tjetër të telefonit ishte më i qartë:
” Aha, kështu na qenka puna. Pak më herët morëm dy telefonata prej dikujt që tha se ishte Jul Cezari e ai tjetri perandor Bonaparti. Dhe tani na del se qenka nëna Terezë që na merr nga Kartumi?”
” Më besoni,” u thash. ” Nëna Terezë vërtetë është këtu dhe nuk kemi kohë për të humbur. Ju lutem a mund të flas me dikë në zyrën e presidentit!”
Më lidhën dhe fola me shefin e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Ai kërkoi që të përshkruaja disa detaje nga takimi i fundit të nënë Terezës me presidentin Regan dhe Nansy Reganin: datën, orën dhe vendin.
Mirtila nxori shpejt një blok jeshil të shënimeve dhe mi dha përgjigjet. Pasi kontrolloi përgjigjet e mia menjëherë u zbut dhe u shpreh më rezonues. Për here të parë mu drejtua me titullin “zotëri”.
“Allright, sir. Një moment, po kontaktoj me presidentin.
Pritja zgjati më se pesë minuta dhe nënë Tereza u duk se po humbte durimin. Por më në fund u dëgjua zëri i shefit të zyrës: ” Presidenti dëshiron të flas me nënë Terezën. Ai do të telefonojë në ambasadën e ShBA-së në Kartum ekzakt pas një ore.”
E kuptova se kjo ishte pika e fundit të kontrollit. Nëse mund të identifikoheshim dhe nëse hynim në ambasadë atëherë kjo ishte një shenjë se kërkesa jonë nuk ishte e rrejshme.
Hipëm në një nga makinat e OKB-së, një pezho e vjetër dhe shpejtuam për te ambasada amerikane. Ajo ishte mbyllur – ora ishte afër 11 të mbrëmjes. Roja na njoftoi se ambasadori gjendej në një pritje në ambasadën e Çekosllovakisë.
U vërsulem edhe një herë. Unë brenda në ambasadë kurse nënë Tereza dhe Mertila prisnin në makinë. Duke kërkuar ambasadorin amerikan një burrë i ri që ishte edhe i ri në post më tha:
” Ekzakt për 43 minuta presidenti Regan do t´ju thërras në ambasadë.”
Ambasadori, të cilin e kisha takuar edhe më parë dhe e njihja nga pamja e jashtme më shikoi dëshpërueshëm dhe më tha: ”Stafan, më duket se edhe ti je i ri këtu? Kur u shpërngula këtu më këshilluan që të merrja rregullisht tableta kripe për ta penguar dehidratimin. Nëse nuk bën kështu do të fitosh ngërçe dhe halucinacione. Më thuaj si je?”
Megjithëkëtë e binda ambasadorin që të vinte deri te makina. Kur e pa nënë Terezën ulur në makinë u bind se kërkesa ime ishte serioze.
U kthyem te ambasada amerikane e cila tani ishte njoftuar dhe me personel. E kuptova që biseda me presidentin ishte diçka e madhe edhe për personelin e ambasadës. U mblodhëm në zyrën e ambasadorit dhe prisnim telefonatën. Nënë Tereza e theu heshtjen. ” Na falni që të lutemi deri sa po presim.”
Ajo filloi meshën ”Ave Maria, piena di grazia”. Rojat që ndodheshin gjithashtu në zyrë dukeshin të trullosur dhe bërbëlisnin sikur po luteshin.
Më në fund ra zilja e telefonit. Ambasadori kapi receptorin: ”Zoti president, nder të flas me ju. Po, nënë Tereza këtu është .”
Ia zgjati receptorin dhe nënë Tereza i fliste Ronald Reganit si një mësuese nxënsit.
“ Kënaqësi që po ua dëgjoj zërin. Si është zonja Nansy? Jam këtu afër një burri të ri nga OKB-ja që përpiqet të dërgojë një avion me ushqime te ata të shkretët që po vdesin urie në Xhuba. Por ky po pengohet, si nga guerila ashtu edhe nga qeveria.”
Regani dha një përgjigje pak të stërzgjatur ndërsa nënë Tereza e dëgjonte me vëmendje dhe e mbaroi bisedën shkurt: ”Allright. Na dërgo një teleks si konfirmim. Mirë. Të faleminderit. Mirupafshim.”
”Çka tha?” ju drejtuam.
”Presidenti tha se me dëshirën më të madhe do të na ndihmojë. Ai do të flet personalisht me kryeministrin e Sudanit al-Mahdin nëse ai nuk është nisur ende nga Uashingtoni për në Nju Jork.
Nëna Terezë tregoi më pas se zëvenëspresidenti George H.W. Bush kishte marrë instruksione për ta takuar al-Mahdin në Nju Jork dhe do t´ia dorëzonte kërkesën.
Në orët e vona të natës erdhi një mesazh nga presidenti Regan: “Zëvendësi im Xhorxh Bush ka takuar Sadik-al Mahdin në Nju Jork. Al-Mahdi ka thënë se ka ndodhë një keqkuptim gjigant. Ai kurr s´kishte menduar të pengonte ndihmat humanitare nga KB për në Xhuba. Ai në këtë pikë ka të njejtin qëllim si KB: ti ndihmojë të uriturit në Xhuba.”
Me këtë morëm lejen që mund ti nisnim ndihmat nga Kartumi në Xhuba me avionët të ngjyrosur si ylberi. Por kërcënimi i guerilës ende ishte në fuqi. Megjithëkëtë vendosëm ta sfidojmë. I morëm dy avion, njëri një Herkules, nisja e të cilit u lajmërua nga Kartumi dhe ky lajm u shpall edhe në mediume. Pak më vonë e nisëm edhe një avion francez DC-9 i mbushur rrafsh me ushqime dhe medicinë. Në këtë avion isha unë dhe nënë Tereza. Fluturonim në lartësi normale dhe ateruam në Xhuba pa kurrfarë problemi.
Më pastaj u bënë dhe 11 fluturime të këtilla duke dërguar ndihma humanitare në Xhuba. Sigurisht nuk ishin të mjaftueshme për ta zgjidhë krizën por po, për ta penguar këcnimin nga vdekja prej urisë. Me këtë u hoq edhe rrethimi i Xhubës.
Nëna Terezë u kthye në Kartum dhe vazhdoi pastaj për në Najrobi. Unë ika për në Romë ku me kërkesën e WFP paraqita gjendjen në Sudan.
Nga nënë Tereza mora një mësim të madh: realiteti nuk është i komplikuar. Por nëse është i komplikuar atëherë duhet të thjeshtësohet. Me këtë dua të theksoj se ndërhyrja e nënë Terezës ishte e drejtpërdrejt.: çka është ajo që t ‘pengon në arritjen e qëllimit? Nuk është pakti i Varshavës, lindja, perëndimi, jugu, veriu, politika e jashtme…. ÇKA të pengon ty? DHE KUSH?
Presidenti, kryeministri, lideri i guerilës? Atëherë duhet të bisedohet me këta njerëz…
Ps: Nga libri ”Ndeshje me të keqen” (Armbrytning med ondskan) Staffan de Mistura, një jetë me luftëra dhe zgjidhje konfliktesh
Shkruar nga Erik Ohlsson,
Ordfront, 2022