‘Neni i mëkatit’ nga i cili u mohuan qindra pensione kontributpagues
Për shkak të nenit 5, pika 5, të Udhëzimi Administrativ (MPMS) nr. 09/15, për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve – stazhit pensional – janë qindra pensionistë në Kosovë të cilëve u është mohuar marrja e pensionit në shumën prej 230 eurosh sepse nuk u njihet diploma e fakultetit pas 1. 1. 1991.
Disa prej pensionistëve që u mohohet kjo e drejtë përmes gazetës “Epoka e re” kanë paralajmëruar padi në Gjykatën e Strasburgut në qoftë se vazhdojnë të shkelen të drejtat e tyre.
Pensionisti Hasan Hasanramaj, i cili studimet i ka mbaruar më 18 nëntor 1991, në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Filozofisë, Departamentin e Historisë, u privua nga e drejta e marrjes së pensionit në shumën prej 230 eurosh siç është për pensionistët me fakultet, pasi me anë të këtij neni nuk i njihet diploma e fakultetit, duke bërë që ai të marrë 58 euro më pak, pra shumën prej 172 eurosh.
Hasanramaj, i cili ishte arsimtar dhe gazetar në gazetën “Bota sot”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se me anë të këtij neni është bërë mëkat i madh me pensionistët, duke u ndalur paratë e pensionit për të cilat kanë kontribuar.
Pensionisti Hasanramaj ka paralajmëruar padi në Gjykatën e Strasburgut në rast se edhe më tutje do t’u shkelet kjo e drejtë.
“Jemi ankuar në MPMS, gjykatë dhe te Avokati i Popullit, por askush s’e dëgjoi zërin tonë. Kjo është në kundërshtim me të gjitha standardet evropiane dhe të drejtat e njeriut. Prandaj, ne do t’i drejtohemi edhe Gjykatës së Strasburgut nëse institucionet tona vazhdojnë të luajnë me ne. Ky nen jo vetëm se është në kundërshtim me standardet dhe praktikat evropiane, por edhe i zhvlerëson diplomat dhe punën e Universitetit të Prishtinës pas vitit 1991. Me anë të këtij paragrafi na është mohuar e drejta e marrjes së pensionit me kualifikim të lartë shkollor dhe na kthyen në kategorinë e pensionistëve me shkollë të mesme, me arsyetimin se s’jemi kontributdhënës. Me anë të këtij neni po shkelën në mënyrë drastike të drejtat njerëzore të shtresave më të goditura të pensionistëve në kohën e pasluftës në Kosovë. Ne kemi dhënë kontribut për 46 vjet”, ka deklaruar Hasanramaj.
Edhe pensionisti tjetër Syhejl Havolli, i cili është letrar, meqë ka të kryer Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, ish-korrespondent i gazetës “Bota e re”, ish-referent në Fakultetin e Filologjisë, është në mesin e mijëra pensionistëve që i mohohet njohja e diplomës së fakultetit.
Në bazë të këtij neni edhe Havolli rangohet në mesin e personave me shkollim të mesme. “Unë kam qenë absolvent në vitin 1982, por mbrojtjen e diplomës e kam anashkaluar për shkaqe objektive, meqë kam qenë në marrëdhënie pune dhe jam marrë me shkrime letrare, kurse më në fund diplomova pas datës 1. 1. 1991 (më 18. VII. 1991), gjë që për gjashtë muaj e disa ditë nuk po e fitoj të drejtën e pensionimit me fakultet. Diplomën e kam mbrojtur te profesori eminent, prof. dr. Latif Berisha (tani i ndjerë). Tani kur më erdhi koha e pensionimit dhe shkova të lajmërohem, më thanë se unë s’kam të drejtë ta marr shumën e pensionit prej 230 eurosh, siç është për pensionistët me fakultet, por vetëm 172 euro. Unë personalisht nuk e kam hallin që po më mohohen 60 euro, por kjo nuk është e drejtë që shteti i Kosovës të na mohojë fakultetin të cilin e kemi përfunduar. Edhe unë i bashkohem thirrjes së pensionistëve të tjerë të diplomuar që këtë çështje do ta dërgojmë deri në Strasburg në qoftë se këta, për shkak të kalkulimeve të veta buxhetore, na trajtojnë në këtë mënyrë”, ka thënë Havolli për gazetën “Epoka e re”.
Për këtë çështje kanë dhënë përgjigje zyrtarë të MPMS-së, të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re)