Nënkryetari Haliti takoi Avokatin e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca
Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit të Republikës së Shqipërisë, Erinda Ballanca, e cila shoqërohej nga Avokati i Popullit të Republikës së Kosovës, Hilmi Jashari.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin që institucioni i Avokatit të Popullit i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, kanë kultivuar midis tyre, por edhe për mundësin e forcimit të mëtejmë të tij, nëpërmjet një memorandumi të bashkëpunimit.
Me këtë rast, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka theksuar se ekziston nevoja e këmbimit të përvojave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe e diskutimit të çështjeve në të cilat ngecin të dy vendet.
Ai ka folur për infrastrukturën ligjore që Kosova ka krijuar në fushën e të drejtave të njeriut, si dhe për nevojën e forcimit të rolit të Avokatit të Popullit.
Ndërkohë Avokati i Popullit nga Republika e Shqipërisë, Erinda Ballanca, ka theksuar nevojën e një adresimi më të madh të rekomandimeve të këtij institucioni.
Kurse Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Hilmi Jashari, është shprehur në favor të një bashkëpunimi më gjerë midis institucioneve të të dyja vendeve.
/Epoka e re/