Nënkryetari i AAK-së i bindur edhe për një Qeveri Haradinaj
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi, ka thënë se asnjëherë nuk kanë qenë më të organizuar se tani për të shkuar në zgjedhje të reja.
Ai është shprehur i bindur se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen sivjet, do të ketë prapë një Qeveri Haradinaj.
Në një intervistë për “KosovaPress”, Smajl Latifi i cili drejton komunën e Rahovecit, ka folur edhe për sfidat dhe projektet në këtë komunë.
Smajl Latifi thotë se qeveria aktuale ka bashkëpunuar ngushtë me komunën e Rahovecit, duke pranuar adresimet e komunës dhe duke dhënë mbështetje maksimale në vazhdimësi.
Ai tregon se i kanë dërguar në të gjitha ministritë përkatëse, planet dhe projektet e komunës dhe beson që do të fitojnë të drejtën të marrin përkrahje në të gjitha ato projekte që janë të rëndësishme për qytetarët e kësaj komune.
Latifi thotë se do të punojnë që pas zgjedhjeve, të ketë një qeveri e cila vazhdon të jetë e fokusuar në komunë në Rahovecit.
Në këtë kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë për shpërndarjen e tij, në mënyrë që t’u hapet rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme,në AAK thonë të jenë mirë të organizuar dhe të gatshëm për secilën datë që caktohet për mbajtën e zgjedhjeve.
Nënkryetari i Aleancës duke thënë që asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të organizuar, thekson se edhe qytetarët në Rahovec asnjëherë nuk e kanë pasur me qartë të vlerësojnë punën e nivelit qendror.