Nënkryetari i Gjilanit: Asnjëherë dhe askund nuk kemi bërë ndasi politike në investime

11 shkurt 2021 | 17:26

Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe miratuar të enjten rregulloren për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve, statutin e Qendrës Kulturore Evropiane, vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në Zonën “B 4” në kuadër të PRRU “Kodra e Thatë”, vendimin për plotësimin e vendimit të datës 18.09.2017 për ndryshimin  e destinimit të planifikuar në një pjesë të parcelës kadastrale nr. 5206-0, në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit” në Gjilan, vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave të paluajtshme komunale, vendimin për formimin e komisionit vlerësues të ofertave.

Është miratuar edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve financiare për deshifrimin dhe përkthimin e mbishkrimeve osmane në varreza në regjionin e Anamoravës, të cilin e paraqiti drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, plotësimin e vendimit për ndarjen e lokacionit për vendosjen e shtatores së Qahil Agushit në Zhegër, duke i specifikuar parcelat, përkatësisht vendimin për lirimin e bizneseve nga pagesa e taksës komunale për vitin 2021.

Po ashtu, Kuvendi u informua edhe për suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020-2021 dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.

Sa i përket emërtimit të rrugëve dhe rastit konkret në lagjen Smakaj në Cërnicë, nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, ka thënë se ankesa për ndërrimin e emërtimit fillestar nuk është bërë në afatin e caktuar ligjor. “Është e vërtetë që parashtruesi i ankesës ka vendosur tabelën, por ne kemi qenë të detyruar ta heqim atë, sepse ka pasur reagime të banorëve, meqë rruga ka qenë e emërtuar në bazë të procedurave të rregullta ligjore”, ka thënë ai.

Në lidhje me zhdëmtimin e pasojave nga vërshimet, Ismajli ka sqaruar se vlerësimi është bërë sipas kërkesës së ministrisë, por deri tani nuk ka asgjë zyrtarisht sa i përket kompensimit. “Personalisht nuk jam optimist për këtë ndihmë sepse, sa kam dëgjuar, është një fond prej një milionësh që qeveria e ka ndarë, ose ka menduar ta ndajë, derisa vlera e dëmit vetëm në Komunën e Gjilanit shkon në 1.5 milion euro”, është shprehur Ismajli. Kurse sa iu përket investimeve në infrastrukturë, ai u shpreh i bindur se asnjëherë dhe askund nuk është bërë ndasi politike, megjithëse ka ndonjë vend ku ende nuk kanë mundur të arrijnë investime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar gjoba…