Nënkryetari i Gjilanit: Vendimi i qeverisë për masa shtesë, i dëmshëm për bizneset
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se vendimi i qeverisë për masa shtesë kundër pandemisë, ishte i pamenduar mirë dhe i dëmshëm për bizneset.
“Vendimet që merren prej zyrave të qeverisë, pa e parë dhe analizuar gjendjen në terren, gjithmonë janë të dëmshme për bizneset”, ka thënë Ismajli në seancën e Kuvendit Komunal.
Sipas tij, Komuna e Gjilanit ka ndërmarrë masa lehtësuese që janë në kompetencë të saj, siç ishte lirimi nga pagesa e qirasë, ndërkohë po shikohet mundësia që kjo masë të vazhdohet edhe për disa muaj.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e së hënës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar raportin financiar janar-shtator 2020, i cili nga pozita u vlerësua jashtëzakonisht i mirë, derisa nga opozita u cilësua raport i mangët dhe jo sqarues sa duhet.
Drejtoresha e Buxhetit, Meral Sadriu Vokshi tha se të hyrat janë realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë parasysh gjendjen e pandemisë që ka mbretëruar në këtë periudhë.
Njëherësh Kuvendi Komunal ka miratuar vendimin për formimin e Grupit punues për hartimin e Planit të punës të Kuvendit për vitin 2021, vendimin për modifikimin e atributeve të titullarit të pronave komunale dhe regjistrimin e tyre me emërtimin ligjor, iniciativën për themelimin e Muzeut Etnografik në Gjilan, vendimin për emërimin e Komisionit Komunal të Aksionarëve në KRM “Ecohigjiena” si dhe vendimin për binjakëzimin e Komunës së Gjilanit me Komunën e Kumanovës.
(Q.R / Epoka e re)