Nënkryetari i Kamenicës mohon se është pjesë e Listës Serbe
Bojan Stamenkoviq është nënkryetari i ri i komunës së Kamenicës. Emërimi i tij u bë direkt nga kryetari i komunës, Qëndron Kastrati.
Ndonëse fillimisht pati raportime që Stamenkoviq ishte anëtar i Listës Serbe, ai ka mohuar se i takon ndonjë subjekti politik.
Në “Rubikon” të “KTV”-së, Stamenkoviq ka thënë se ka punuar në Doganën e Kosovës dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e politikës.
I pyetur se pse pikërisht ai u zgjodh në këtë pozitë, ai ka shtuar se ishte iniciativë e kryetarit të komunës. E për Kastratin, një nënkryetar serb ishte domosdoshmëri.
“Një prej arsyeve kryesore është që pjesa më e madhe e Kamenicës e njohin Bojanin dhe kanë fjalë shumë të mira për të, është punëtor. Faktor tjetër është që e njeh gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze. Për mua si kryetar ka qenë shumë e rëndësishme që ta kem dikë prej komunitetit serb. Unë nuk e konsideroj që jam kryetar veç i shqiptarëve por i gjithë qytetarëve në komunën e Kamenicës. Për shkak të paragjykimeve nuk ka qenë shumë e lehtë për mu të komunikoj drejt me komunitetin serb”, ka thënë Kastrati.