Nënkryetari i KB Yllit: Duam titullin kampion, do sjellim lojtarë të huaj
Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli këtë edicion ka për mision mbrojtjen e titullit kampion në Superligën e Kosovës.
Fillimi tejet i dobët i sezonit vuri në dyshim serioz arritjen e këtij objektivi, por situata ndryshoi për të mirë pas xhiros së katërt.
Nënkryetari i klubit, Lendrit Palushi thotë se humbjet e njëpasnjëshme në fillim të sezonit, lanë shije të hidhur te tifozët e skuadrës, por ato nuk i kishin shqetësuar drejtuesit e klubit, pasi ata ishin të kënaqur me përkushtimin dhe punën e trajnerit dhe të lojtarëve.
“Pas një fillimi jo të mirë, edhe pse për mendimin tim nuk ka qenë fillim jo i mirë shkaku që humbjet që kanë ardhur, kanë ardhur kryesisht prej ekipeve pretendente këtë vit, përveç Rahovecit, i cili në mungesë të trajnerit tonë na ka mposhtur, humbjet tjera kanë ardhur ndoshta jo me meritë, por jemi mposhtur nga ekipet me kualitet përafërsisht të njëjtë…Ato humbje neve nuk na ka çuar peshë shumë, neve si klub, edhe pse si qytetarë të Suharekës, kemi pasur gjithmonë kritika, por kryesorja ka qenë ne të jemi të kënaqur me ekipin, me trajnerin dhe po shihet, kemi nëntë fitore me radhë, të cilat kanë ardhur pikërisht ndaj kundërshtarëve kryesor për titull”, tha Palushi.
Palushi, zbulon se pas nisjes së dobët të sezonit, trajneri Adis Beçiragiç, kërkoi që të largohet, gjë të cilën nuk e pranuan drejtuesit e klubit.
“Pas humbjes nga Peja trajneri kërkoi që të largohet, mirëpo e kemi parë të rrugës që nuk ishte trajneri fajtori kryesor, aty sa ishim ne të klubit, pasi që i lamë të largohen dy ndër lojtarët kryesor në Kosovë por arritëm që edhe këtë vit ta mbajmë trajnerin dhe besoj që, nuk e di, por në bazë të asaj çfarë kemi biseduar me të, trajneri ndoshta është i gatshëm edhe vitin e ardhshëm të qëndrojë.”, theksoi Palushi.
Rikthimi në rrugën e fitoreve dhe rezultateve pozitive e ka futur sërish Yllin në luftë për titull, por Palushi thotë se ky objektiv do të jetë jashtëzakonisht i vështirë që të arrihet për shkak të konkurrencës së madhe.
“Nuk ka qenë e lehtë as dy vitet e kaluar, por ky vit besoj që do të jetë pak më i vështirë, pasi që kualiteti i lojtarëve është rritur edhe organizimi në klube është shumë më i madh. Nuk e di, si pretendent kryesor deri tani çfarë kemi parë është Trepça, Prishtina dhe Peja.”, ka thënë Palushi.
Përtej kampionatit vendor, numri dy i KB Yllit pranon se nuk është i kënaqur me ecurinë e skuadrës në garat evropiane.
“Si vit i parë i pjesëmarrjes ka qenë një vit ndoshta i mirë, edhe pse kemi mundur t’i arrijmë edhe ndoshta një fitore apo dy të tjera, por nuk e di, nuk ishim edhe shumë të gatshëm për garat evropiane, të jemi konkurrues sepse nuk është më e rëndësishme të marrim pjesë, e rëndësishme është te kemi sukses dhe rezultat. Këtë vit, nuk e di, nuk na e deshi, kishim probleme edhe me lëndime.”, theksoi tutje Palushi.
Përveç anës sportive, Palushi flet edhe për gjendjen financiare të klubit. Derisa vlerëson lartë ndikimin e ligjit të sponsorisimit dhe të mirat e tij, ai thotë se 70 përqind të buxhetit të klubit e mbulon kompania që e drejton, Golden Eagle Ylli.
“Klubi i Yllit 70 përqind të buxhetit e mbulon kompania jonë, Golden Eagle, kurse pjesa tjetër, nuk është një pjesë e vogël sigurohet prej sponsorëve të tjerë. Sporti në përgjithësi është mjaftë i zorshëm ta menaxhosh, por të gjitha përvojat që i kemi pasur në kompani i kemi përcjellë edhe në menaxhimin e klubit, përzgjedhjen e njerëzve adekuat.”, ka shtuar ai.
Për të konsoliduar radhët e skuadrës dhe për t’i arritur objektivat e sezonit, Palushi thotë se klubi mund të transferojë edhe disa lojtarë të huaj.
“Disa biseda që i kemi pasur me trajnerin, ai ka kërkuar njëherë ta mbajë këtë ekip. Ndoshta aty tek mbyllja ë xhiros së tretë, aty kemi mundësi të sjellim lojtarë të huaj sepse për vendorë ka përfunduar afati kalimtar. Nuk e di, ndoshta do të sjellim edhe pse vet nuk e di në cilat pika kemi nevojë më shumë, por me kalimin e kohës do t’i shohim edhe mangësitë që i ka klubi”, tha Palushi.
Nënkryetari i klubit nga Suhareka u shpreh i shqetësuar me incidentet ndërmjet tifozëve në palestrat sportive. Sipas tij, është përgjegjësi e Federatës së Basketbollit dhe vet klubeve që organizimin e garave dhe ndeshjeve ta marrin më seriozisht dhe raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë.