Nënkryetari i Malishevës inspekton punimet në disa projekte
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i ka inspektuar punimet në disa nga projektet që janë në realizim e sipër në këtë komunë.
Ai i ka parë nga afër punimet në rregullimin e hapësirës përgjatë shtratit të lumit Mirusha, ndërtimin e zhveshtoreve dhe tribunave në stadiumin e qytetit, meremetimin e lapidarit në Gurbadh dhe rregullimin e fushës së volejbollit në shkollën e fshatit Lladrovc.
Gjatë këtyre inspektimeve, nënkryetari Berisha, ka kërkuar nga punëkryesi zbatimin në përpikëri të projekteve, planeve të punës dhe cilësi në realizimin e tyre.
“Cilësia në punime, zbatimi i dinamikës së punimeve dhe respektimi i paramasave sipas projekteve janë themelore, prandaj kam kërkuar nga punëkryesit, që në përpikëri ti zbatojnë këto kritere, e po ashtu kam kërkuar që të përshpejtohen apo të mos ketë vonesa, sidomos në ndërtimin e tribunave në stadiumin e qytetit, për shkak të natyrës së projektit dhe nevojës që duhet të ndërtohen shpejt, por në asnjë mënyrë të shmanget projekti dhe cilësia e punimeve”, ka thënë Berisha.
Përndryshe, këto janë disa nga projektet e shumta që janë duke u realizuar, sidomos në infrastrukturën e përgjithshme, në tërë territorin e Komunës së Malishevës.