Nënkryetari i PDK-së: I besoj Grenellit e s’i besoj Kurtit
Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka thënë se LV-ja ka prishur relacionet me të gjitha partitë e tjera në Kosovë dhe se subjekti i tij është dashur që të votojë mocionin për shkak se vendi po shkonte në drejtim të gabuar. “LV-ja është parti që i ka prishur relacionet me të gjitha partitë e tjera politike. Mosbindja e saj ndaj kërkesave të ShBA-së ka qenë e gabuar. Ne kemi vlerësuar që po na dërgon në një drejtim tjetër ku eventualisht po u jepej përparësi shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ka qenë në pyetje taksa, dhe e dini se Grenell e pati shpjeguar shumë mirë se Kurti nuk e ka mbajtur premtimin që i ka dhënë. Kështu ai pengoi procesin që do të dërgonte deri në përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës”, shton ai.
Pastaj Totaj ka thënë se në mes të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe të dërguarit Special të ShBA-së, Richard Grenell, do t’i besonte gjithmonë këtij të fundit.
“Kurti mund të thotë çfarë të dojë, por unë i besoj Grenellit. Pa tjetër, nuk ka dyshime, nuk duhet të shtrohet kjo pyetje”, tha Totaj.
“Deklarata e tij se nuk shkoj unë as në Shtëpinë e Verdhë e as të Bardhë, dhe nuk shkoj t’i shtrihem Grenellit, ishte tallje me njërin prej akterëve kryesorë në administratën e Trumpit”. /Express/