Nënkryetarja e AAK-së: Ndërkombëtarët ta ‘edukojnë’ Serbinë në kuptimin politik, taksa s’hiqet
Nënkryetarja e Aleancës së Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Magbule Shkodra thotë se taksa e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia do të mbetet në fuqi deri në njohjen nga shtetit fqinjë, edhe përkundër presionit ndërkombëtar.
Shkodra i tha ‘Ekonomia Online’ se ndërkombëtarët duhet që ta “edukojnë” Serbinë në kuptimin politik, ngase nuk mund të neglizhohen më 2 milionë banorët e Kosovës.
“Unë e them qëndrimin që e kemi si AAK pasi që jam zëvendësministre nga ana e Aleancës dhe në cilësinë e nënkryetares së partisë që ne mbetemi të vendosur se taksa duhet të mbetet, taksa deri në njohje të Kosovës”.
“Unë mendoj që BE-ja dhe miqtë tanë do të duhej të koncentroheshin pak më shumë ta edukojnë Serbinë në kuptimin politik nuk mundë t’i neglizhosh dy milionë njerëz që veprojnë në Kosovë ata duhet të edukohen të na pranojnë. Deklarimet e Beogradit janë çdo herë të njëjta do të thotë një gjuhë e tillë është e papranueshme në këtë demokraci të Evropës”.
Shkodra thotë se vendimi i Qeverisë së vitit të kaluar për vendosjen e taksës ka bërë që prodhuesit vendës të rrisin numrin e të punësuarve dhe prodhimin.
“Kam parë në teren taksa ka ndikuar që prodhimi vendorë të stimulohet ka vizituar disa javën e kaluar isha në një biznes i cili ka përfituar nga ministria jonë dhe ata po merreshin me përpunimin e drurit pra ndërtimin e mobilieve kuzhinave të ndryshme dhe gjë që më pëlqeu kishin një numër më të madh të punësuarve dhe të gjitha produktet e tyre tani po shiteshin edhe jashtë Kosovës”.
Por sipas saj, prodhuesit duhet që këtë fazë ta shfrytëzojnë për rritjen e cilësisë së produkteve të tyre, ngase siç thotë ajo taksa nuk mund të mbetet në fuqi gjithmonë.
“Është mirë që kjo kohë sa është taksa duke u mbrojtur ta shfrytëzojnë ta rrisin kualitetin, të mos nisemi nga ajo sepse në të gjithë e kemi një ndjenjë patriotike, por edhe prodhuesit s’duhet ta keqpërdor mirësinë tonë ta ulë kualitetin, por me të vërtetë të na respektojë edhe neve si konsumatorë të punojë në drejtim të rritjes së kualitetit në mënyrë që kur të vijë në një moment sepse taksa nuk do të qëndrojë përgjithmonë e kemi cek se kur mundë të hiqet, kur të hiqet taksa ata të na kenë për neve”.