Nënkryetarja e PDK-së akuzon qeverinë Kurti për tri ‘skandale’
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në një konferencë për medie ka akuzuar qeverinë Kurti për tri skandale të mëdha ditëve të fundit.
Çitaku ka thënë Albin Kurti si kryeministër pos që po vazhdon ta mbrojë pakusht ambasadorin Berishaj, po e cenon përmendjen e UÇK-së e po i thur elozhe Ivanoviqit, si dhe po dështon në diplomaci.
“Çka ka dhe çka s’ka ditëve të fundit dhe jo vetëm nga qeveria Kurti? Ka mbrojtje të pakusht për Martin Berishajn, nuk ka sjellje të tij para drejtësisë. Ka mohim të fjalës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe elozhe për Oliver Ivanoviqin. Ka çnjohje dhe ngecje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, s’ka procedim të aplikacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka një Albin Kurt në opozitë, dhe një Albin Kurt tjetër në Qeveri”, ka theksuar ajo.
Nënkryetarja e PDK-së sërish bëri thirrje që ambasadori Berishaj të shkarkohet nga detyra dhe të hetohet afera e tij me mafian energjetike. “Tek afera Martin Berishaj, shkarkimi nuk mjafton. Të dhënat e publikuara nga mediumet e ndryshme ndërkombëtare duhet të jenë alarm për institucionet e Republikës së Kosovës.
Për më tepër, sot, më shumë se kurrë, kryeministri duhet t’u japë përgjigje një vargu të pyetjeve të cilat i kemi parashtruar tash e një vit. Si i është dhënë shtetësia Martin Berishajt brenda natës? Si e ka marrë certifikatën e sigurisë nga AKI? A janë përdorur 1 milion e 470 mijë euro për të financuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo”, ka deklaruar Çitaku.
Sa i përket diplomacisë, Çitaku konsideron se qeveria Kurti ka dështuar deri në atë masë sa shteti i Kosovës nuk po arrin të mirëmbajë dhe kultivojë raportet as me vendet që e kanë njohur më parë.
“Dje, ministri i Jashtëm i Togos njoftoi se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim njohje të reja të vendit tonë. Por, kjo nuk është pjesa më e dhimbshme. Pjesa e dhimbshme është që, edhe në një organizatë si Këshilli i Evropës, ku kemi më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme, edhe përkundër përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, aplikimi i Kosovës vazhdon të mbetet i patrajtuar. Që nënkupton, se ne nuk po arrijmë të mirëmbajmë dhe kultivojmë raportet as me vendet që na kanë njohur”, është shprehur ajo.
Çitaku duke akuzuar kryeministrin Kurti për nënçmim të UÇK-së, tha se historia nuk mund të fshihet dhe sikur komunikatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimet e Kurtit në “Facebook”.
“Në përvjetorin e masakrës së Reçakut, Qeveria ia mohoi fjalën kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani. Ndërkaq, të nesërmen, kryeministri Kurti thuri elozhe për Oliver Ivanoviqin. Kryeministër, nuk fshihet dhe nuk retushohet historia si komunikatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimet tuaja në ‘Facebook’”, ka deklaruar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.