Nënkryetarja e PDK-së: Haxhiu ra në grackën që e ndërtoi vetë
Mimoza Ahmetaj, nënkryetare e PDK-së, ka thënë se deklarata e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se me intervistimin e saj nga Prokuroria Speciale “puna e saj po e pengon dikë”, nuk është asgjë e re.
Ahmetaj ka thënë se zyrtarë të kësaj qeverie gjithmonë ankohen se dikush tjetër u ka faj.
Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se Haxhiu ra në grackën që e kishte ndërtuar vetë me deklaratat e thëna për rastet e fundit të arratisjeve nga burgjet e Kosovës.
“Asgjë e re në raport me deklaratat e zyrtarëve shtetëror të cilët në deklarimet e tyre janë në vazhdën e skandaleve të vazhdueshme të qases joserioze ndaj situatave të rëndësinë së tillë. Asgjë e befasishme, edhe një deklaratë e radhës e cila e solli atë në grackën që e kishte ndërtuar vet dhe për këtë u intervistua nga Prokuroria”, ka thënë Ahmetaj.
Prokuroria Speciale ka intervistuar për dy ditë rresht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me deklarimet e dhëna se prokurorë dhe gjyqtarë kanë mbajtur takime për raste të caktuara si dhe për deklarimin për rastet e arratisjes nga burgjet e Kosovës.
Ajo kishte thënë se të arratisurit destinacion të parë e kanë Serbinë dhe se janë të ndikuar nga grupet kriminale.