Nënkryetarja e re e LDK-së: Është koha ta rikthejmë partinë në piedestal
Një ditë pasi është zgjedhur nënkryetare e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se këtë pozitë në parti nuk e ka marrë në kohën më të mirë.
Ajo ka përmendur rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhje, teksa ka shtuar se është koha që partia të kthehet në piedestal.
“Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mjekiqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mjekiqit:
Dje, me propozimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr.Lumir Abdixhiku, dhe me mbështetjen e Këshillit të Përgjithshëm jam zgjedhur Nënkryetare e partisë.
Koha në të cilën unë po i bashkohem LDK-së nuk është më e mira për të. Në zgjedhjet e fundit LDK morri përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj para 30 vjetësh. E kuptoj që shumë prej jush ndjeheni të zemëruar me këtë rezultat.
Por, është koha më e mirë për mua dhe shumë të tjerë të kontribuojmë në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin. Spektri politik në Kosovë është i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zhvillimin e së cilës punuan me shumë mund e sakrificë gjenerata të shumta nën udhëheqjen e presidentit Ibrahim Rugova.
Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbejë popullit dhe shtetit të Kosovës.
Ju faleminderit për mbështetjen.