Nënsekretari amerikan Derek Chollet pritet që javën e ardhshme të vizitojë Kosovën
Zhvillimet politike në Kosovë po bëhen gjithnjë e më dramatike në këtë fundvit. Pikërisht për këto zhvillime Kosovën pritet që javën e ardhshme ta vizitojë një zyrtar i lartë amerikan.
Bëhet fjalë për një udhëtim të rëndësishëm drejt Kosovës nga ana e një zyrtari të lartë të administratës amerikane Biden.
Burime të gazetës Nacionale kanë thënë se në shtetin tonë do të vijë Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, nënsekretari amerikan Derek Chollet.
Ai këtë vizitë do ta bëjë gjatë javës tjetër, thanë burimet.
Kjo është vizita më e rëndësishme në vendin tonë nga një zyrtar i lartë amerikan që nga vizita e prillit që e bëri asistent-sekretarja Karen Donfried. Vizita e saj kishte bërë bujë të madhe dhe kishte nxitur një mori zhvillimesh tjera politike në Kosovë.
Por, edhe më të rëndësishme vizitën e Cholletit në Kosovë e bën fjalët/veprimet e tij mjaft të drejtpërdrejta ndaj vendit tonë muajin e kaluar.
Cholleti dhe Kosova
Më mirë do të ishte që ky nëntitull të quhej “Cholleti dhe Kosova e nëntorit”. Derek Chollet papritmas ishte bërë zyrtari i lartë amerikan më i zëshëm që i kërkonte Kosovës shtyrjen e afatit për targa, madje duke lënë në hije Gabriel Escobarin – përfaqësuesi i lartë amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Ai fillimisht kishte bërë bujë për një telefonatë që e kishte pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Në postimin e tij në Twitter, Chollet do të “ndante zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.
Për herë të parë një zyrtar amerikan publikisht po tregonte se kishte ndarë zhgënjimin për veprime të Kosovës me Serbinë. Ky reagim i tij vinte vetëm pak ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit kishte shprehur “shqetësim dhe zhgënjim” me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin në fjalë.
Më pas, Chollet do të fliste në telefon edhe me kryeministin e Kosovës Albin Kurtin. Lajmin për telefonatën fillimisht do ta ndante Albin Kurti, por duke mos treguar krejtësisht se çka kishte folur me të. E një gjë të tillë, do ta bënte vetë zyrtari amerikan. Kishin folur për targat.
Drejtpërdrejtshmëria e tij në një moment aq të tensionuar kishte marrë vëmendje të madhe, dhe prandaj vizita pritet të jetë shumë e rëndësishme.
Simpatizantë të Vetëvendosjes pas reagimeve të tij i kishin reaguar ashpër duke e sulmuar Cholletin, e me këtë edhe ShBA-të.
“Serbia e merr atë që e dëshiron. E merr në Bosnjë, këtu në Republikën Serbe, dhe duke iu falënderuar ShBA-së, tash një republikë serbe 2.0 në Kosovë. Më 2030 përgatituni për një konflikt tjetër, zotëri,” – kishte thënë një nga komentuesit.
“Është e dhimbshme të shoh SHBA-në duke mbajtur politikën e qetësimit të përfaqësuesit kryesor të Rusisë në Evropë – Serbisë. Do të ishte mirë të ishim dukshëm më të zëshëm për rreshtimin skandaloz të Serbisë me RF, në mes të një agresioni dhe terrori të paprecedentë që po ndodh në zemër të Evropës.” – kishte komentuar një tjetër.
Kush është Derek Chollet?
Nënsekretari Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
Ai ka punuar edhe më herët në pozicione të ndryshme në Departmentin e Shtetit, e po ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Departmentin e Mbrojtjes. Chollet kishte punuar edhe në Administratën e Bill Clintonit duke shërbyer si fjalimshkruesi kryesor i ambasadorit në OKB, Richard Holbrooke.