Nënshkrimi i marrëveshjes me MCC-në do të zhvillohet në një departament të Kongresit Amerikan

27 korrik 2022 | 16:54

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për programin Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) do të zhvillohet sot gjatë ditës në një departament të Kongresit Amerikan.

Nga ky financim, 200 milionë dollarë do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).

Programi përfshin tri projekte:

Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 Mw, që ofrojnë rezervë 340 MWh); Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Ky është programi më i madh i Kosovës që ka me MCC-në. Para kompaktit, kur është bërë pjesë e MCC-së, Kosova ka përfituar nga një tjetër program që quhet “Thershold”, në vlerë rreth 50 milionë dollarë.

Projekte nga ky program tashmë janë duke u realizuar, siç është ndërrimi i njehsorëve të Termokosit, fasadimi i disa ndërtesave në Komunën e Lipjanit, Graçanicës e Mitrovicës, e së fundi edhe ndërrimi i fasadës strukturore të soliterave në lagjen Ulpiana, RTK, etj.

Po ashtu ka pasur edhe një projekt për digjitalizimin e dosjeve të gjykatave dhe një tjetër për matjen e cilësisë së ajrit.

Sipas kohës lokale në Uashington ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes do të fillojë në orën 15:30.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjyqtarët e Kosovës edhe këtë mesjavë do të jenë pjesë…