Nënshkrimi i një marrëveshjeje të paralajmëruar!

04 shtator 2020 | 15:59

Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA

Para një viti presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se pikërisht në këtë kohë do të nënshkruhet marrëveshja finale me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje të detyrueshme reciproke në oborrin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në Kopshtin e Trëndafilave e cila do të noterizohej nga kryenoteri i botës, presidenti i ShBA-së, Donald Trump. Aktorët apo nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje do të ishin Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq. Realisht kjo marrëveshje ishte vdekje e paralajmëruar politike për të dy presidentët. Hashim Thaçi u linçua publikisht nga opozita në Kosovë dhe nga e ashtuquajtura shoqëri civile si dhe nga mediat e varura dhe shumë të varura në emër të mbrojtjes së pavarësisë që nuk ekzistonte as si formë e lëre më si përmbajtje. Aleksandar Vuçiqi sulmohej nga opozita, ndonëse ishte në flirtim pasionant me Kishën Ortodokse Serbe që ishte dhe është faktor përcaktues për të gjitha zhvillimet në Serbi. Aleksandar Vuçiq dhe Otac Teodosije kishin dhe kanë përparësi krahasuar me më parë Thaçin e tash Hotin për faktin se po bisedojnë dhe do të nënshkruajnë marrëveshje e cila në çdo aspekt ka të bëjë me Kosovën e jo me Serbinë. Aleksandar Vuçiqi, një kriminel lufte i viktimizuar, po e luan rolin si një serb tipik i llojit të Nikolla Pashiqit, gënjeshtrën si përmbajtje e ka ambalazhuar me një cipë të rivendosur të virgjinitetit të pafajësisë e që bota po e pranon si të tillë, jo se nuk ka të dhëna se çka ka bërë Serbia në Kosovë, por se oportunizmi politik dhe interesi po e kërkojnë këtë.

Po Kosova, ku është në këtë mes: Realisht ekipi kosovar që nga fillimi nuk e ka përcaktuar qëllimin e as vijat e kuqe ndaj Serbisë sikur që ka dëshmuar një “fleksibilitet” deri në përulje dhe dorëzim ndonëse i kanë pasur dhe i kanë të gjitha faktet për qëndrim ndryshe. Kanë dëshmuar mungesë të dinjitetit, kompetencës dhe përgjegjësisë sikur të bisedonin për shkretëtirën e Saharës dhe jo tokën e Kosovës. Pa asnjë nevojë u hap çështja e shkëmbimit të territoreve dhe çështje të tjera të cilat jo që e thelluan inferioritetin e pozitës negociuese të Kosovës, por i thelluan edhe çarjet brendashqiptare. Hashim Thaçi, me një vendim politik të Gjykatës Speciale, u eliminua nga roli që e kishte në bisedime, u harrua brenda një dite nga Grenelli dhe Borrelli, prandaj Avdullah Hoti tash do ta nënshkruajë marrëveshjen e ditur një vit e më parë në Kopshtin me Trëndafila në Shtëpinë e Bardhë. Bisedimet dje dhe sot në Uashington u mbuluan me një vello të misteriozitetit dhe dramacitetit, ndonëse ka kohë që ishte draftuar dhe se askush nuk e ka pyetur dhe as që e pyet delegacionin e Kosovës, kurse Serbinë e dëgjojnë me më shumë kujdes. Realisht, praninë e presidentit Donald Trump e bën alfa dhe omega e këtij takimi duke luajtur me ndjenjat e qytetarëve. Para një viti është ditur se Donald Trumpi do të jetë i pranishëm, disa minuta derisa të nënshkruhet kjo marrëveshje. Prania e presidentit Donald Trump më shumë duhet të konsiderohet si presion ndaj palëve se si përkrahje dhe si pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale në ShBA. Është shumë më e rëndësishme përmbajta e marrëveshjes sesa a do të jetë Donald Trumpi i pranishëm gjatë nënshkrimit a jo. Dikush më tha se për një besimtar islam arritja më e madhe është pelegrinazhi në Mekë, për një të krishterë është pelegrinazhi në Vatikan, kurse për një politikan kosovar është Shtëpia e Bardhë në Uashington. Varësisht në çfarë cilësie ju thërrasin, mendoj unë. Sot është shumë atraktive ta vizitoni Alkatrazin si vizitor, por nuk ka qenë aspak atraktive nëse keni qenë i burgosur aty. Nëse po arrihet një marrëveshje në Uashington, pse u dashka pas 2-3 ditëve të takohen në Bruksel, Aca dhe Dulla? Përralla janë pohimet e Dullës se me Serbinë do të bisedohet vetëm për njohje reciproke, do të bisedohet edhe për arat e Dullës në Ratkoc. Me vetë faktin se jeni ulur në tavolinën e bisedimeve nënkupton se keni hequr dorë nga mbrojtja e pozicioneve të forta. Serbia në çdo aspekt do të ndahet më mirë se Kosova, qoftë për shkak të oportunizmit të bashkësisë ndërkombëtare, ndoshta edhe më shumë për shkak të injorancës sonë. E kuptoj opozitën e Kosovës që nuk ka pranuar të jetë pjesë e ekipit të Kosovës, por nuk e kuptoj pse nuk ka pranuar të marrë pjesë në takime konsultative para se të shkohet në Bruksel dhe Uashington. Në ekipin e Kosovës që është në pritje të përjetimit të orgazmës për shkak të pranisë së presidentit Donald Trump gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ka të tillë që nuk e kanë shkrepur as edhe një pordhë të vetme për lirinë dhe shtetin e Kosovës, kurse tani duan të na bindin se i kanë prapanicat me mbushje bërthamore! Kurse deklarimi i një partie opozitare, se nuk mund të nënshkruhet asnjë marrëveshje pa partinë fituese të zgjedhjeve të fundit, i ngjan tregimit kur ujku e ha gomarin e ai thotë inshallah jam ëndërr. Proceset ecin dhe nëse nuk jeni pjesë e tyre, janë dhe bëhen të papërsëritshme! Tash vetëm na ka mbetur të mësojmë për pasojat dhe të bëjmë përpjekje t’i menaxhojmë me sa më pak dëme! Politika krijon injorantë, kurse historia nuk i fal ata! Uroj ta kem gabim!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Indeksin e…