Nënshkruhen kontrata me 220 punëtorë të rinj në KEK, Kurti flet për ‘shumë suksese’ në sektorin energjetik

06 janar 2025 | 15:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të 220 kontratave të punëtorëve të rinj në Korporatën Energjetike të Kosovës, në Termocentralin Kosova B.

Kurti, që ka marrë pjesë në këtë ceremoni në një kohë kur pjesë të vendit po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, foli për sfidat dhe “shumë suksese” që ka thënë se janë shënuar vitin e fundit në sektorin energjetik.

“Herën e fundit në këtë sallë jemi takuar para diç më shumë se dy vitesh, atëherë kur e kremtuam Vitin e Ri 2023 dhe ndërkohë mund të themi që kemi pasur shumë sfida, por njëkohësisht edhe shumë suksese”.

“Ka përfunduar dilatimi i bojlerëve në Bllokun B, sipas planit (2023); është nënshkruar kontrata për modernizim të TC Kosova B, që do të fillojë në prill”, ka thënë ai.

Kryeministri ka përmendur edhe shtimin e punonjësve në prodhim në dy vitet e fundit.

“Dhe në dy vitet e fundit janë pranuar në punë 525 punonjës të rinj në KEK, ndërsa sot KEK-ut po i shtohen edhe 220 të rinj në Divizionin e Qymyrit. Me shtimin e punonjësve në prodhim, e sigurojmë operimin e KEK-ut edhe për dy dekadat e ardhshme. E askush më mirë se ju vet nuk e din këtë gjë, se çfarë rëndësie ka edhe për KEK-un edhe për mbarë Kosovën, dhe se sa i rrezikuar ka qenë operimi pikërisht nga mungesa e punëtorëve në prodhim”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se “KEK-u ka luajtur rol kyç në menaxhimin e krizës energjetike, jo vetëm në prodhim”.

“Edhe në rekord bashkëpunimi me Shqipërinë: këmbimi prej 250GWh, me ç’rast janë kursyer 50 milionë euro për Kosovën dhe gjithashtu, në ruajtjen e sigurisë së furnizimit – blerja e energjisë me buxhetin e ndarë nga Qeveria, për çfarë ju falënderoj dhe shpreh mirënjohjen tonë si qeveri e Republikës”, ka thënë ai.

Kurti tha se në këto vitet e fundit KEK-u realizoi “fitim rekord prej 105.7 milionë euro, i cili mundësojë investimin në rehabilitimin e TC Kosova A”.

Menaxhmenti, ai ka thënë se ka premtuar se tenderi për rehabilitimin e bllokut A3 do të shpallet gjatë këtij muaji.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi dueloi fort për titullin kampion për konstruktorë, ku vitin…