Nënshkruhen kontratat për implementim të sistemit të adresave me gjashtë komuna
Qeveria Norvegjeze dhe Autoriteti Norvegjez për Hartografi dhe Kadastër “Kartverket” nëpërmjet Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka ofruar një mbështetje financiare për prodhimin dhe instalimin e tabelave te numrave të hyrjeve të objekteve për disa komuna.
Në bazë të konsultimeve mes ekspertëve norvegjez, ekspertëve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe përfaqësuesve të komunave të ndryshme si dhe në bazë të nevojave dhe prioriteteve të komunave, u vendos që përfituese të kësaj përkrahje të jenë komuna e Kamenicës, komuna e Vitisë, komuna e Malishevës, komuna e Obiliqit, komuna e Ferizajt dhe komuna e Klinës.
Implementimi i këtij aktiviteti do të bëhet me bashkëfinancim mes komunave dhe “Kartverketit”.
Përfitimet nga ky projekt do të jenë shumëdimensionale si për komunat ashtu edhe për institucionet tjera publike, institucionet komerciale dhe bizneset, si dhe për vetë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave, prijësit dhe përfaqësuesit e komunave vlerësuan angazhimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në përgjithësi dhe bashkëpunimin me komunat në veçanti, ndërsa kryeshefi i AKK-së Avni Ahmeti ka kërkuar nga komunat që të caktojnë ekspertët përgjegjës për këtë projekt, si dhe ka kërkuar trajtimin e mundësive për ndarjen e mjeteve financiare në baza vjetore për mirëmbajtjen e sistemit të adresave.