Nënshkruhen procedurat standarde të veprimit të Zyrës për Rikthim të Aseteve
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit,Besim Kelmendi në prezencë të udhëheqësit të Zyrës për Rikthim të Aseteve, prokurorit të shtetit, Bahri Hyseni dhe përfaqësueseve të institucioneve ligjzbatuese që janë pjesë e kësaj zyre si Policia e Kosovës, Njësiti për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, kanë nënshkruar të mërkurën procedurat standarde të veprimit për Zyrën për Rikthim të Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka theksuar se me nënshkrimin e këtyre procedurave po kompletohet infrastruktura ligjore për funksionimin e plotë të Zyrës për Rikthim të Aseteve, procedura këto që do t’u shërbejnë të gjithë prokurorëve në rastet kur ka vend për rikthim të aseteve.
Procedurat standarde të veprimit përshkruajnë mënyrat dhe procedurat që duhet të ndiqen për funksionimin sa më efikas të Zyrës për Rikthim të Aseteve, me qëllim të ofrimit të ndihmës dhe këshillave për prokurorët e shtetit si dhe partnerët ndërkombëtarë në rastet e rikthimit të aseteve dhe bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtarë.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe partnerët ndërkombëtarë nga Ambasada e ShBA-së, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra e BE-së dhe Zyra e UNDP-së në Kosovë.