Nënshkruhet deklarata për promovimin e dialogut ndërmjet komuniteteve
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), të enjten ka organizuar ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të deklaratës së përbashkët për të promovuar dialogun ndërmjet komuniteteve në komunën e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt dhe Podujevës.
Në këtë ceremoni, i pranishëm ishte drejtori i Administratës nga Komuna e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj, kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport nga komuna e Skenderajt, Ramiz Shala, përfaqësues të komuniteteve, zyrtarë komunalë si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Në fjalën e tij, ambasadori Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka falënderuar kryetarët e komunave dhe drejtorët të cilët ishin të pranishëm në këtë ceremoni, duke thënë se është i kënaqur që mund të ndihmojë bashkëpunimin ndërkomunal për promovimin e çështjeve të komuniteteve.
Me këtë rast, drejtori i Administratës, Hysen Muzliukaj, para nënshkrimit të deklaratës për zotimet e komunave për bashkëpunim ndërkomunal, ka thënë se komuna e Mitrovicës çdo ditë e më shumë po angazhohet të përmirësojë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve mitrovicas nga të gjitha komunitetet.
“Komuna e Mitrovicës në vazhdimësi është përpjekur që të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në qytetin tonë të përfaqësohen sa më denjësisht, duke realizuar edhe projekte të ndryshme në integrimin e tyre dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore. Ndërsa Zyra Komunale për Komunitetet dhe Kthim është ajo e cila ka dhënë një kontribut të veçantë në identifikimin e kërkesave dhe realizimin e projekteve të ndryshme për komunitetet që jetojnë në Mitrovicë”, ka thënë drejtori Muzliukaj.
Ai më tutje ka shtuar se kryetari dhe komuna si institucion kanë treguar gatishmëri të lartë për të nënshkruar këtë deklaratë dhe me përgjegjësinë më të lartë t’i përmbushin edhe rekomandimet e dala nga kjo deklaratë.
Kryetarët e komunave u deklaruan se qëllimi i nënshkrimit ka të bëjë me promovimin e dialogut dhe respektimin ndërmjet komuniteteve në komunat tona po ashtu edhe në tërë Kosovën.
Duke kujtuar se një shoqëri me shumëllojshmëri kulturore është një qëllim që duhet ndjekur dhe se ndërtimi i institucioneve është po aq i rëndësishme sa edhe krijimi i bashkëpunimit gjithnjë e më të afërt në të gjitha fushat dhe në respekt të të gjitha komuniteteve.
/Epoka e re/