Nënshkruhet dekreti për pavarësimin e Kishës Ortodokse të Ukrainës
Patriarku Ekumenik, Bartolomeu i Kostandinopojës ka nënshkruar sot një dekret që i jep autoqefali, apo pavarësi Kishës Ortodokse në Ukrainë, duke i dhënë fund kështu mbi 330 vjet kontroll fetar të Rusisë në Ukrainë.
Në ceremoninë e mbajtur në Stamboll – që konsiderohet selia shpirtërore e krishterimit ortodoks – ka qenë i pranishëm edhe presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.
Dekreti apo “tomosi”, do t’i dorëzohet më 6 janar kreut të ri të Kishës ukrainase, Metropolitan Epifaniy, për të përmbyllur këtë ceremoni dyditore.
“Është nder i madh për mua që të vizitoj Stambollin, ku kjo ngjarje që e kemi pritur për shumë kohë do të mbahet nesër”, ka shkruar në Facebook Poroshenko, duke iu referuar ceremonisë së dorëzimit të dekretit.
Poroshenko ka thënë se ky hap do të hapë “etapë të re në historinë ortodokse. Ne lutemi për paqe dhe unitet”, ka thënë ai.
Patriarku Bartolomeo kishe njoftuar se do të njohë kërkesën e Ukrainës për pavarësinë e kishës së saj në muajin tetor të vitit të kaluar. Dy muaj më pas, liderët ortodoksë të Ukrainës ishin pajtuar që të krijojnë një Kishë Ortodokse kombëtare dhe kishin zgjedhur 39-vjeçarin, Epifaniy në krye të kësaj kishe.
Rusia që një kohë të gjatë ka kundërshtuar përpjekjet që Ukraina ka bërë që të pavarësojë kishën e saj./REL