Nënshkruhet kontrata e parë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizim
Kompania e avancuar e teknologjisë, “Gjirafa”, i është bashkuar planit strategjik të marketingut të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
KOK-u dhe “Gjirafa”, kanë nënshkruar sot kontratën e sponsorizimit, e cila njëherit është e para që prej hyrjes në fuqi të Ligjit të Sponsorizimit në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë. Kontrata është nënshkruar nga kryetari i KOK-ut, Besim Hasani dhe drejtori i përgjithshëm i platformës “Gjirafa”, Mërgim Cahani.
“Kjo është marrëveshja e parë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizime, për çka besoj se do të jetë një lajm i mirë, një hap i parë për të hapur rrugën edhe për marrëveshje tjera, jo vetëm që do të lidhen midis KOK-ut dhe etniteteve tjera, por edhe midis biznesit dhe organizatave tjera sportive, që janë federatat, klubet, por edhe sportistët”, ka thënë Hasani.
“E dyta e veçantë ndërlidhet pikërisht me 7 gushtin 2016, ku tri vite më parë e tronditëm botën me një lajm të jashtëzakonshëm, me një arritje të përmasave botërore, ku në shtetin që nuk na njeh, Brazilin, Majlinda Kelmendi rrëmbeu medaljen e artë dhe e renditi Kosovën në mesin e 100 shteteve me medalje të artë”, ka shtuar Hasani.
Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i “Gjirafës”, Mërgim Cahani, shprehu kënaqësinë që kompania që drejton do të jetë partner i Komitetit Olimpik të Kosovës. “Jemi mbledhur sot për një arsye shumë të rëndësishme, pasi jemi duke krijuar partneritet Gjirafa me shërbimet e veta dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës. Ne do të donim të inspiroheshim nga KOK-u dhe nga arritjet e sportistëve tanë në mbarë botën. Kjo për ne e bënë shumë të rëndësishme nënshkrimin e kësaj kontrate dhe bashkëpunimi ynë do të shtojë vlerat e të dyja palëve”, ka deklaruar Cahani.
Kontrata është një-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për vitet tjera. “Gjirafa” iu bashkua partnerëve të KOK-ut si: “Iute Credit Kosova”, “Hotel Sirius”, “Toyota Kosova” dhe “KosovaPress”, ndërsa KOK në javët e ardhshme pritet të zyrtarizojë edhe marrëveshje të tjera të sponsorizimit.