Nënshkruhet kontrata për fillimin e punimeve në rrugën Deçan-Plavë
Në vigjilje të 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në prezencën e deputetëve të parlamentit të Kosovës, që vijnë nga komuna e Deçani dhe të kryetarit të komunës Bashkim Ramosaj, u nënshkrua kontrata për fillimin e punimeve në rrugën Deçan – Plavë, e cila do të financohet me rreth 12 milionë euro.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka bërë me dije se kjo rrugë do të përafrojë edhe me tepër shqiptarët që jetojnë në të dyja anët e kufirit. “Do të lidhë dy shtetet tona, Kosovën dhe Malin e Zi, por mbi të gjitha do të ndikojë në zhvillimin e turizmit si një arterie ndër më kryesoret për Deçanin. Duke i uruar qytetarët e Deçanit për ketë zhvillim pozitiv, dëshirojë të them se, Qeveria Haradinaj është e interesuar që të investojë në infrastrukturën rrugore në të gjithë vendin, gjithnjë duke u bazuar në nevojën e qytetarëve por edhe në strategjinë tonë për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Lekaj.