Nënshkruhet kontrata për zgjerimin e rrugës në hyrje të Ferizajt
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë me dije se të premten ka nënshkruar kontratën për realizimin e projektit “Zgjerimi i rrugës në hyrje të Ferizajt”, një projekt ky i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) që kap vlerën e 16.4 milionë eurove.
Aliu ka treguar se punimet pritet të zgjasin një vit sipas planit dinamik. “Pas një periudhe sfidash dhe ndërprerje të kontratës me kontraktorin e mëparshëm që u trashëgua nga 2019 nga qeveria e kaluar dhe që u tregua i papërgjegjshëm, këtë vit rifilluam procedurat e prokurimit dhe sot kemi nënshkruar kontratën me operatorin e ri për përfundimin e këtij projekti. Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën e rrugës Nacionale N2, duke e zgjeruar atë në një rrugë me nga dy korsi në secilin drejtim, dhe do të kontribuoj në rritjen e sigurisë dhe lehtësisë së qarkullimit për qytetarët e Ferizajt dhe të gjithë rajoni”, ka thënë Aliu.