Nënshkruhet marrëveshja 2.5 milionë euro për digjitalizimin e legjislacionit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad’s, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për implementimin e projektit për digjitalizimin e legjislacionit dhe harmonizimin gjuhësor të tij, të financuar nga shteti norvegjez, në vlerë prej 2.5 milionë eurosh.
Duke falënderuar ambasadorin Sjaastad’s dhe shtetin norvegjez për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, kryeparlamentari Veseli ka thënë se me anë të digjitalizimit të legjislacionit, qytetarët e Kosovës, mediat, organizatat e shoqërisë civile, partitë politike, institucionet e ndryshme, do të kenë qasje të lehtë edhe të menjëhershme tek ligjet e Kosovës.
Veseli ka shtuar se ky projekt, i modelit “Lowdata”, si njëri nga modelet më të avancuara të digjitalizimit të ligjeve, të zbatuar me dekada të tëra në shtetin e Norvegjisë, shënon hapin e parë të E-Qeverisjes në Kosovë.
“Harmonizimi gjuhësor është komponenta e dytë e rëndësishme e këtij projekti. Ky harmonizim është tejet me rëndësi për shoqërinë tonë multietnike, ngase përmes tij evitohen mospërputhjet mes ligjeve në gjuhë të ndryshme. Në këtë drejtim jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë në një fjalor zyrtar tre gjuhësh, shqip-serbisht-anglisht. Shumica e buxhetit për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm do të jetë donacion nga shteti i Norvegjisë ndërsa pjesërisht projekti do të financohet edhe nga buxheti ynë”, ka theksuar kryeparlamentari Veseli.
Ai ka theksuar se nga sot, demokracia parlamentare e Kosovës është më afër trendeve bashkëkohore të legjislacionit dhe transparencës ndaj qytetarëve.
Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad’s, nga ana e tij ka pohuar se financimi i këtij projekti është konfirmim i mbështetjes së shtetit që ai përfaqëson, për reformat në Kosovë.
“Ky projekt do të jetë një mekanizëm shumë i rëndësishëm dhe i përdorshëm për të gjithë ligjvënësit, për profesionistët ligjorë, si prokurorët dhe avokatët, si dhe të gjithë qytetarët e thjeshtë në këtë vend”, është shprehur ambasadori Sjaastad’s, duke shtuar se kontributi i Norvegjisë në këtë projekt do të jetë rreth 2.3 milionë euro.
Ai ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për bashkëpunimin e ngushtë me shtetin norvegjez dhe ka vlerësuar lart rolin e tij për demokratizimin dhe transparencën e Kuvendit të Kosovës.
/Epoka e re/