Nënshkruhet marrëveshja 25.5 milionë euro për përmirësim të rrjetit të transmisionit të energjisë nga KOSTT-i
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe KOSTT-i kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë 25.5 milionë euro për përmirësim të rrjetit të transmisionit të energjisë nga KOSTT-i.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri.
Në fjalën e tij hyrëse, ministri Murati theksoi rëndësinë e këtij projekti duke thënë se “projekti parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt e të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit të energjisë nga KOSTT”.
Zëvendësambasadori Conrad ka deklaruar se projekte si ky për përmirësimin e rrjetit të transmisionit janë të rëndësishëm për integrimin e Kosovës në tregjet e energjisë së Bashkimit Evropian.
Në këtë linjë, zëvendësministri Mjeku ka shprehur se përkrahja e ofruar për KOSTT-in mundëson që kostoja e energjisë të jetë e përballueshme për qytetarët duke i kontribuar edhe procesit të dekarbonizimit.
Se ky projekt është shumë i rëndësishëm u pajtua edhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT i cili tha se: “përmes projektit mundësohet integrimi i një kapaciteti shtesë të energjisë në Deçan, zëvendësimi i transmetuesve ashtu që të zvogëlohet ngarkesa si dhe digjitalizimi i shërbimeve të ofruara nga KOSTT”.
Duke nënvizuar mundësitë për bashkëpunim në projekte tjera të përbashkëta për zhvillimin e sektorit të energjisë, palët më pas proceduan me nënshkrim të marrëveshjes.