Nënshkruhet marrëveshja 80 milionëshe për autostradën Kijevë-Zahaq
Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza dhe zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Investime (BEI), Dario Scannapieco, kanë nënshkruar të martën në Luksemburg Marrëveshjen e huasë për financimin e projektit për autostradën Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq në vlerë prej 80 milionë euro.
“Projekti për autostradën Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq është një ndër prioritetet qeveritare që do t’i ndihmojë qytetarëve të Kosovës, me theks qytetarëve të Dukagjinit, por që është më e rëndësishmja përveç që do ta lidh Kosovën me shtetet tjera evropiane do të ketë edhe ndikim në zhvillim ekonomik të vendit. Kjo është marrëveshja e dytë financiare që po nënshkruhet për këtë projekt, pas asaj me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) tanimë e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Përveç dy kredive, për këtë projekt gjithashtu janë përfituar grante nga korniza investuese e Ballkanit Perëndimor”, është thënë në njoftimin e MF-së.
Sipas këtij njoftimi, ministri Hamza, ka thënë se ndjehet i lumtur për bashkëpunimin e arritur me Bankën Evropiane për Investime. “Jam shumë i lumtur që Kosova ka arritur këtë fazë të zhvillimit të përgjithshëm që të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me Bankën Evropiane për Investime përmes kësaj marrëveshje shumë të madhe financiare, por shumë domethënëse për shtetin dhe për Bankën Evropiane për Investime. Qeveria e Kosovës e konsideron Bankën Evropiane për Investime si një partner strategjik për zhvillim dhe integrim evropian, gjë që do të reflektohet edhe përmes investimeve tona të përbashkëta në sektorë të tjerë”, citohet të këtë thënë Hamza.
Ndërsa zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Investime (BEI), Dario Scannapieco, ka thënë se kjo marrëveshje dëshmon më së miri se sa janë të përkushtuar që të jenë prezentë në Kosovë me trende shumë të mira makro fiskale.
“Banka Evropiane për Investime ka ndarë për Kosovën 257 milion euro, prej të cilave deri më tani janë nënshkruar 149 milion euro marrëveshje financiare”, ka thënë Scannapieco.
Gjatë vizitës në Luksemburg, ministri Bedri Hamza pritet të takojë edhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të Bankës Evropiane për Investime për të diskutuar progresin e projekteve aktuale në Kosovë dhe mundësitë e financimit të projekteve potenciale për Kosovën, me theks të veçantë për sektorin e mjedisit, shëndetësisë, dhe sektorin privat.
/Epoka e re/