Nënshkruhet marrëveshja 86 milionë euro për renovimin e ndërtesave publike

17 janar 2025 | 16:52

Të premten është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për efiçiencë të energjisë e cila parasheh investime në 400 ndërtesa publike në Kosovë.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtori i BERZh-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, si dhe drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi.

Në fjalën e tij ministri Murati theksoi se marrëveshja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me një financim prej 50 milionë eurosh tashmë është negociuar dhe nënshkruar. “E mira e kësaj marrëveshje është që e njëjta përforcohet edhe më tej me grantin e mbështetjen prej 20 milionë eurosh të siguruar nga institucionet e tjera partnere, siç janë Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Danimarkës”, ka deklaruar ministri Murati.

Ministrja Rizvanolli theksoi se është e domosdoshme që ndërtesat publike të jenë të izoluara mirë dhe të kenë masa të efiçiencës në mënyrë që konsumi i përgjithshëm në vend të ulet, rrjedhimisht të lehtësohet sistemi elektroenergjetik dhe të reduktohen kostot financiare.

Nga ana e tij, drejtori i BERZh-it në Kosovë, Maslichenko, theksoi se ky projekt dëshmon partneritetin e fortë ndërmjet BERZh-it dhe Kosovës. Ndërsa drejtori menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi, nënvizoi se projekti pritet të nisë gjatë këtij viti dhe do të përfundojë deri në vitin 2031.

Kjo marrëveshje është vetëm një fragment i punës disavjeçare të qeverisë në sigurimin e efiçiencës së energjisë pasi iniciativa të ngjashme janë nënshkruar me komunën e Prishtinës dhe komunën e Prizrenit për ndërtesat publike në këto komuna, ku totali i vlerës së atyre projekteve ka qenë 30 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Distria Krasniqi e ka rikujtuar edhe njëherë kohën kur e…