Nënshkruhet marrëveshja “Erasmus+”, përfitojnë studentët dhe profesorët
Të martën në Bruksel ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe komisionari evropian për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tiborn Navracsics, kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në “Erasmus+”, programin e Unionit për arsim, trajnim rini dhe sport.
Kjo marrëveshje hap rrugë për studentët dhe profesorët, institucionet, organizatat dhe individët, të cilët me nënshkrimin e kësaj marrëveshje janë të barabartë me konkurruesit e tjerë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ka falënderuar komisionarin Navracsics për mundësinë që i ka dhënë Ministrisë së Arsimit për të nënshkruar një marrëveshje kaq të rëndësishme për arsimin në Kosovë, ndërsa ka theksuar se programi “Erasmus+” në Kosovë është i njohur dhe ka pasur praktika të mira deri më tani.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje u kemi ofruar mundësi të rinjve tanë, studentëve dhe mësimdhënësve tanë, që të përfitojnë nga ky program dhe do të ndihmohet forma e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, e cila është tejet e nevojshme”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ai ka thënë se do të jenë të kujdesshëm që këto tri pika që janë paraparë në këtë program t’i shfrytëzojnë në mënyrë sa më të mirë.
Ministri Bytyqi ka deklaruar se MAShT-i do t’i ndihmojë institucionet tona që sa më mirë t’i shfrytëzojnë këto fonde, ndërsa u shpreh i sigurt se me këtë marrëveshje po i hapet perspektivë ndërkombëtarizimit të arsimit të Kosovës.