Nënshkruhet marrëveshja me Bankën Botërore në vlerë prej 46 milionë euro për luftimin e Covid-19
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka nënshkruar të hënën Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin emergjent Covid-19 për Kosovën”.
Kjo ministri ka bërë me dije se mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga Covid-19, duke mundësuar ndër të tjera prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik me qellim të rritjes se kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës Infektive.
Në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore.