Nënshkruhet marrëveshja në vlerë mbi 12 milionë euro me KfW-në
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nënshkruar marrëveshjen në vlerë mbi 12 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), ku synohet përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.
Ky projekt është kontribut i Bashkimit Evropian dhe impementohet nga KfW-ja.
Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka thënë se kjo marrëveshja synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve duke garantuar një mjedisi më të pastër.
Ai ka thënë se projekti ka për qëllim të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit si dhe të kontrollojë depozitimin e mbetjeve sipas strategjisë kombëtare për menaxhimin e mbetjeve.
“Nënshkrimi i një marrëveshje tjetër që ka për synim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë përmes garantimit të një mjedisi më të pastër që njëkohësisht ndikon në përmirësimin e shëndetit publik. Marrëveshja në fjalë do të mundësojë ofrimin e infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan, e që është pjesë e programit më të gjerë për menaxhimin e mbetjeve të forta, pra faza dy deri në fazën katër. Projekti ka për qëllim të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit si dhe të kontrollojë depozitimin e mbetjeve sipas strategjia kombëtare për menaxhimin e mbetjeve. Projekti synon të kontribuojë në mbrojtjen e burimeve natyrore. Sot do të nënshkruajmë marrëveshjen tjetër që kap vlerën e 12.6 milionë eurove që është kontributi i Bashkimit Evropian përmes fondeve IPA menaxhuar nga KfW. Këto mjete do të ofrohen pastaj te Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës”, ka thënë Murati.
Ndërsa shefi i Departamentit të Evropës Juglindore të KfW, Klaus Muller, derisa ka vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, ka thënë se është urgjente që të merren veprime në këtë fushë.
Sipas tij, niveli lokal dhe ai qendror duhet të punojnë së bashku që të tejkalohen problemet me mbeturina dhe se ky projekt të përfundohet me kohë.
“Gjermania 20 milionë euro i ka alokuar për këtë projekt më herët dhe tani kemi një fond të ri të IPA-s të BE-së. Të gjithë i dimë problemet që janë shumë prezent dhe ju e dini shumë më mirë se sa është urgjente që të merren veprime dhe mendoj sidomos në Prishtinë kemi deponinë në Mirash e cila është në kolaps dhe shkakton shumë rreziqe për mjedisin. Sepse imitimi i gazrave është shumë i lartë. Është me rëndësi që të veprohet me menjëherë. Kur jemi te deponitë, duke parë veprimet urgjente është më rëndësi që në nivelin lokal dhe qendror të punojmë së bashku që të tejkalojmë këto problem dhe të fillojmë me këtë projekt që të arrijmë në kohë të përfundojmë. Kosova drejt BE-së është duke punuar shumë në menaxhimin e deponive dhe janë duke u marrë shumë hapa në këtë drejtim”, ka thënë Muller, raporton “KP”.
Në anën tjetër, drejtori gjeneral në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), Dardan Veliaj, ka thënë se ky projekt është qenësor për ndërmarrjen.
Ai ka theksuar se nëpërmjet këtij programi gjendja e deponive sanitare pritet të ndryshojë.
“Për gjendjen e deponive nuk kemi nevojë të flasim shumë. Ka qenë vazhdimisht në media, ka qenë pikë e dobët e vendit tonë e paraqitur edhe në raportet e progresit në raportet e vendeve të Bashkimit Evropian në procesin integrues. Ky program është qenësor si për ndërmarrjen, si për vendin tonë. Nëpërmjet këtij programi gjendja e deponive sanitare pritet të ndryshojë drastikisht. Kemi pasur një keqmenaxhim të gjatë të këtij sektori, kemi pasur mungesë të planifikimit dhe investimeve adekuate, gjë që ka sjellë tek dëmet e mëdha që janë shkaktuar në ambient dhe rrethinën ku operojnë deponitë tona. Nëpërmjet këtij programi, ne do t’i shndërrojmë deponitë tona që sot operojnë pa lejet adekuate, pa respektimin adekuat të kritereve ambientale”, ka thënë Veliaj.