Nënshkruhet marrëveshja për 30 autobusë të rinj për kryeqytetin
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar marrëveshjen për kredi prej 10 milionë eurosh me BERZh-in, në selinë e tyre në Londër.
Kjo kredi do të përdoret për blerjen e 30 autobusëve, gjashtë prej të cilëve janë autobusë elektrik me bateri dhe njëzet e katër të modelit Euro VI, së bashku me infrastrukturën për karikimin e tyre.
Autobusët Euro-VI janë autobusë të rinj me naftë në përputhje me standardin e emetimeve Euro-VI, i cili kufizon emetimet që ata prodhojnë.
Kryetari i kryeqytetit Përparim Rama gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka thënë se inkorporimi i autobusëve të parë elektrik në qytet dhe në vend është një moment kyç drejt tranzicionit të gjelbër.
“Kjo do të ketë një ndikim të prekshëm në jetën e qytetarëve tanë dhe do të ndërmarrë hapa kuptimplotë drejt një Prishtine më të shëndetshme dhe më të pastër. Jemi shumë krenarë që vazhdojmë një bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë BERZh”, ka thënë Rama.