Nënshkruhet marrëveshja për aftësimin e të rinjve në teknologji informatike dhe ndërmarrësi
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, dhe drejtori i DVV International, Ramadan Alija, kanë nënshkruar marrëveshjen për aftësimin e të rinjve në teknologji informatike dhe ndërmarrësi si një nga objektivat kryesore në fushën e rinisë.
Ministri Gashi ka bërë me dije se ngritja e aftësive dhe kompetencave të të rinjve në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë do të shtrihet në tri rajone të Kosovës (Ferizaj, Malishevë dhe Viti).
“Me DVV International zyra në Kosovë jemi pajtuar që të bashkëpunojmë në fushën e arsimimit joformal duke përfshirë tri Qendra Rinore nga tri rajone të ndryshme të Kosovës, si struktura organizative të MKRS-së dhe kjo duke pasur parasysh faktin se arsimimi i rinisë dhe përfitimi i njohurive në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë ndikon në nxitjen e punësimit, pjesëmarrjen e rinisë në zhvillimin kulturor, shoqëror, ekonomik dhe të qëndrueshmërisë së tyre”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas ministrit Gashi, objektivë kryesore i këtij projekti është aftësimi i së paku 100 të rinjve me qëllim të zbutjes së papunësisë dhe krijimit të mundësive për hapjen e bizneseve të vogla dhe vetëpunësimit të rinisë, krahas shumë projekteve për ndërmarrësi dhe vetëpunësim të cilat po mbështetet nga Ministria e Rinisë e të cilat janë shtrirë gjithandej vendit.
/Epoka e re/